Ku ndahen Rama me Berishën?

21/03/2013 00:00

Artan Mullaj – Pas shkrimit “Çmimi i ikjes së Saliut”, që publikova para
disa ditësh në gazetën “Shqip”, një lexues më kërkoi të bëja doemos në
vijim një shkrim ku të trajtoja tjetër gjë, jo ikjen e Saliut, por
disfatën e Ramës. Çfarë çmimi do të kish realisht disfata e Ramës.

Kërkesën e mora për vlerësim, çka dëshmon edhe bërja e këtij shkrimi, ku natyrisht nuk do të flas për “çmimin e disfatës” së Edi Ramës, sepse unë gjendem në listën e gjatë të atyre që besojnë se PS-ja është e dënuar doemos të fitojë dhe se rrotacioni në Shqipëri është i domosdoshëm.

Po përmend megjithatë se në rast të një disfate të Ramës, nuk do të bëhet më fjalë për çmim dhe pasojë, por për një katastrofë. Berisha ende në pushtet mbas 23 qershorit do të thotë degradim mizor i shpresës së qytetarëve tanë, të cilët, nëse ky nuk ikën, do të pllakosë përfundimisht një eklips i përjetshëm në besimin se ky vend do të mund të bëhet ndonjëherë.

Kjo gjë është e qartë si peizazhet e Turebergut. Mjerimi nuk ka nevojë për dritë të bardhë që ta shohësh. Mizerja sot ndihet, si një rëndesë shpirti, edhe në terr, mjafton të jesh pranë tij. Si kurrkund tjetër në Europë, ky mjerim është shndërruar në materie: ai tërheq, dhemb, ulërin edhe sundon këtë vend, sepse është në aleancë me Berishën. E tepërt të përmendësh detaje për të përkufizuar kiametin ku është katandisur Shqipëria! Është realiteti shqiptar, i dalë ftohtë sysh, për të gjithë, socialistë dhe demokratë! Gjithkush e sheh këtë realitet të lyer me bojë dëshpërimi. Ajri, atmosfera shqiptare, klima jonë, vijnë erë varfëri. Cili është peizazhi i zhvillimit në Shqipërinë e Berishës? Ekonomia, arsimi, shëndetësia, transporti, drejtësia, rendi, siguria, diplomacia, të gjitha janë si vagonët e ndryshkur të trenave të hekurudhës Elbasan-Përrenjas: nuk lëvizin më, nuk kanë lokomotivë, nuk kanë xhama dhe sedilje; janë të shqyer prej babëzisë së hajdutëve të skrapit. Dhe kryesorja, nuk kanë shina.

Pra nuk do të flas këtu për mjerimin, por për arsyen se përse, sipas meje, Berisha duhet të ikë nga tribuna. Rama dhe Berisha, dy liderët e dy partive të mëdha në vend, gjenden në një arenë gladiatorësh, si përfaqësues epokash. Saliu, mbreti mizor i së shkuarës; Edi, luftëtari konsekuent i së ardhmes. Dy strumbullarë të historisë modeste të një vendi modest, më shumë se kurrë, përfaqësojnë sot kauza, misione, vizione të ndryshme. Më 23 qershor do të përballen edhe një herë, dy botë, dy fantazi, dy ndjeshmëri, dy ndershmëri, dy besime dhe natyrisht dy filozofi urbane e sociale.

Ndryshimi nuk është thjesht mosha e tyre. Në fakt, diferenca mes dy liderëve është rreth 20 vjet, aq sa është afërsisht tranzicioni shqiptar, dhe kjo gjë mund të supozohet si një ogur i mirë. Lideri që pritet të vijë, ndryshon në kohë me liderin që pritet të ikë, aq sa janë vitet e tranzicionit. Berisha është sa Edi Rama në moshë, plus tranzicionin, plus 20 vite me dhimbje, me plagë, me gjak, me shkatërrime, me vjedhje, me babëzi dhe me vuajtje. Kemi të drejtë të mos i përfytyrojmë në alternativën e Edi Ramës vuajtjet e kujtesës kolektive që përfaqëson Berisha me të shkuarën e tij politike, ku ka jo pak mallkim. Ashtu si nuk është në dorën tonë të harrojmë vitin ‘97, Gërdecin, 21 janarin, qypeberin e tranzicionit që rrënoi përfundimisht Shqipërinë, më keq se Turqia në Mesjetë, sa herë në imazhin e Berishës, kemi të drejtë të përfytyrojmë rolin e tij makabër në këtë tranzicion… Sa e brishtë dhe sa fatale është nganjëherë historia. Mjafton një frymë, një copëz gabim energjie njerëzore të karikohet, t’i jepet pushtet, dhe gjërat të marrin një kthesë fatale. Nuk kam parasysh këtu vetëm mbretin Zog, me dalldisjet e fatit që shfaqja dhe ikja e tij i sollën Shqipërisë. Sa ndryshe do të ishte periudha e komunizmit, sikur Enver Hoxha të ish marrosur në Paris mbas ndonjë spanjolleje leshverdhë e të mos ishte kthyer kurrë në Shqipëri mbas studimeve? Sa ndryshe do të ishte dhe ç’rrjedhë do të kish vendi sikur Berisha i ri të kish zgjedhur të merrej me blegtori në Tropojë, në vend që të vinte në Tiranë, ku u bë doktor dhe më pas lider i demokratëve? Si do të ishte PD-ja sikur në krye të ish, bie fjala, jo Berisha, por Eda Zari. Kthesat e mëdha të historisë nuk i parazgjedhin liderët, por i shkaktojnë shkëndijat e çuditshme të fatit, që ndezin ambicie të kobshme dhe i shtyjnë ata në tribuna…

Sigurisht që mosha e dy liderëve nuk përfaqëson ndryshimin politik që duam të themi. Rama dhe Berisha, ndryshimin mes tyre në fakt e bën tjetër gjë. E bën ndjeshmëria dhe raporti me të bukurën. Limiti i ndjeshmërisë së Saliut është nacionalizmi hundëkuq. Limiti i ndjeshmërisë së Ramës është përkushtimi i artistit për krijimin e një realiteti të ri.

Ndryshimin e bën perceptimi që kanë të dy për lirinë dhe drejtësinë: Mision historik për Ramën, mjet abuzimi për Berishën.

Ndryshimin e bën dhe vizioni, raporti që kanë ata me të ardhmen. Vizioni i Ramës është të shpëtojë Shqipërinë nga mizerja. Vizioni i të dytit është të shpëtojë mazhorancën dhe shpirtin e tij nga gjyqi i ardhëm i vetes së vet.

Orientimi. Rama kërkon edhe hapësirë, edhe krahë të fluturojë drejt Perëndimit, tjetrin e tërheq si magnet drejt otomanizmit “muzgu” i Lindjes.

Ndryshimi është i qartë, në çdo hap, detaj, qasje, perceptim. Kur para disa ditësh, u akuzua dhe u mbajt në arrest kryebashkiaku i Kavajës, si i dyshuar për ushtrim dhune ndaj trajnerit të Tiranës, të gjithë mbajtën frymën ndaj reagimeve që u bënë prej palëve.

Le të kujtojmë sjelljen e Saliut, kur njerëzit e tij (të cilëve mbase nuk u është aq borxhli sa politikisht borxhli i është Rama, Elvis Roshit, që i rrëmbeu thonjsh Saliut, Kavajën) kanë qenë në situata të tilla. Nuk do të hyj thellë në histori, por po sjell në vëmendje pikë së pari vrasësit e 21 janarit. Sa shumë fanatizëm e vulgaritet shpenzoi Saliu për t’i mbrojtur ata pas krimit të tyre!. Shpërfilli prokurorinë, fyeu presidentin dhe kryeprokuroren, i shtrëngoi mirë vidhat “drejtësisë” në gjykatat tona të menderosura, që gardistët e tij, të cilët vranë qetësisht e lanë fëmijë jetimë, të dilnin të pafajshëm. Shkojmë edhe më tej. Grupi i policëve që thithnin raki edhe hanin meze me autorin e dyshuar të vrasjes së komisarit, na imponojnë të kujtojmë reagimin pervers të Saliut ndaj një modeli pervers sigurie, që vetë ai me duart e tij ka ndërtuar: Mbështetje në heshtje për tradhtarët e policisë shqiptare që janë njëherazi edhe krerët e saj!

E dimë! Berisha është gati t’i dalë në krah çdo perversiteti, mjafton që ky perversitet t’u takojë besnikëve, militantëve, servilëve të tij. Por kujtoni sjelljen e kryetarit të opozitës ndaj çështjes së Elvis Roshit: “Nëse ka ushtruar dhunë, do të ishte në nderin e tij të kërkonte ndjesë publike”, tha Edi Rama. Ky detaj, kjo hollësi në dukje kaq e parëndësishme, e bëjnë sakaq ndryshimin. E ngrenë sakaq fisnikërinë e një lideri, në një plan që nuk takohet gjëkundi me harbutërinë dhe haxhiqamilizmin e liderit tjetër. Përfytyroni çdo të kishte bërë Berisha në vendin e Ramës. Demonstrata, thirrje për shpagim, sharje e shfryrje rrugaçësh nëpër rrugët e Kavajës dhe të Tiranës, për t’i dalë në mbrojtje njeriut të tij. Dhe nuk do të ishte hera e parë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA