F1, Raikkonen: Mund të luftojmë me Red Bullin

21/03/2013 15:50

Kimi Raikkonen u shpreh në prag të garës së Malajzisë se fitorja në Australi nuk do të thotë se do të ndryshojë mënyra e punës tek skuderia Lotus.

“Do të vazhdojmë të punojmë sipas programit, pa ndryshuar asgjë. Do të mundohemi thjesht të marrim sa më shumë pikë të jetë e mundur në Malajzi dhe në të gjitha garat e ardhshme”, deklaroi piloti finlandez.

Në lidhje me temperaturat e larta në Sepang, Raikkonen tha se “nuk mund të parashikohet klima në Malajzi, kështu që duhet të presim e të shohim.”

Raikkonen beson gjithashtu se në kushte normale, Lotusi i tij mund të luftojë me Red Bullin edhe në provat zyrtare, aty ku makina kampione në fuqi duket se nuk ka rivalë.

“Në Australi isha 1 sekondë më i ngadaltë se Vettel në provat zyrtare, por ishim në kushte shiu dhe kjo na pengoi. Në një pistë të thatë jam i sigurtë që diferenca do të jetë shumë më e ngushtë”, tha Kimi Raikkonen.

Gara e Malajzisë, e dyta sezonale, do të zhvillohet ditën e dielë në orën 09:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Top Channel, së bashku me provat zyrtare që do të zhvillohen të shtunën (09:00).

Top Channel