Skandal seksual për Berlusconi-Balotelli

20/03/2013 18:45

Ish-kryeministri i Italisë dhe presidenti i Milanit, Silvio Berlusconi si dhe sulmuesi i kombëtares, Mario Balotelli, po hetohen nga Prokuroria e Barit në lidhje me skandalin e mbrëmjeve të orgjive dhe festave të shfrenuara në rezidencat e 76-vjeçarit.

Ajo që bën përshtypje, është përfshirja për herë të parë në këtë “xhiro” edhe e “Supermarios”, që në kohën kur është përfolur, luante ende për Manchester City.

Midis provave, sipas “La Gazzetta dello Sport”, figurojnë edhe disa mesazhe “tepër të nxehta” drejtuar modeles dhe aktores së filmave pornografikë, Sara Tomassi.

Tomassi, e cila duket se ka shkëmbyer mesazhe personale me përmbajtje tepër intime me futbollistin dhe ish-kryeministrin, ishte një prej vajzave që merrte pjesë rregullisht në festat e Berlusconit në vitet 2008-09.

Megjithatë, nuk ka asnjë provë të shkëmbimit të mesazheve apo telefonatave midis vetë Berlusconit dhe Balotellit, saktësoi e përditshmja sportive italiane.

Mesazhet në fjalë janë kapur nga Prokuroria e Napolit, gjatë një hetimi paralel për shfrytëzimin e prostitucionit nga persona me pushtet lokal.

Tre herë Kryeministër i Italisë, Silvio Berlusconi, dyshohet se ka shpërblyer pjesëmarrëset e këtyre mbrëmjeve me detyra të ndryshme në sipërmarrjet e tij apo politikë.

Ai gjithashtu po ndiqet penalisht për shfrytëzim prostitucioni me të mitura, pas dëshmive të një shtetaseje marokene, e cila pretendon se kryeministri kreu marrëdhënie seksuale me të disa vite më parë, ndonëse e dinte se ajo nuk kishte mbushur 18 vjeç.

Top Channel