“Nazisti” Katidis pezullohet edhe nga AEK

20/03/2013 14:50

Jorgo Katidis, futbollisti i cili festoi një gol të tijin me një përshëndetje naziste, është pezulluar deri në fund të sezonit edhe nga klubi ku aktivizohet aktualisht, AEK-u i Athinës.

Katidis, i cili është pezulluar përjetë nga kombëtarja e Greqisë për këtë gjest, ka marrë një tjetër dënim të rëndë që nuk do e lejojë të luajë më futboll deri në përfundim të sezonit aktual.

“AEK-u ka vendosur të lërë jashtë skuadre futbollistin Jorgo Katidis deri në përfundim të kampionatit 2012/2013. Ky është dënimi më i rëndë i mundshëm”, shkruhet në një komunikatë të klubit grek.

Gjithashtu nuk është e sigurtë vazhdimësia e 20-vjeçarit në skuadër edhe pas përfundimit të sezonit: “Vendimi për vazhdimësinë e tij do të merret në verë, pasi t’i jepet mundësia të tregojë se sjellja e tij ishte fryt i papjekurisë.”

Vetë futbollisti kërkoi falje pasi kuptoi impaktin që pati gjesti i tij: “Ndihem shumë keq për ata njerëz që janë ofenduar nga budallallëku i gjestit tim.”

Top Channel