“Hajdutja e bukur” titullohet pjesa më e re, e cila vjen për publikun në Teatrin e Metropolit këtë fundjavë. Vepra mban autorësinë e Ruzhdi Pulahës dhe do të vihet në skenë me regji të Enver Petrovcit.
“Mungesa e regjisorëve tanë, që nuk insistojnë në autorë shqiptarë. Po të insistonin do ta gjenin dhe jo vetëm zotin Pulaha, por edhe autorë të tjerë. Pra ka qenë prej tekstit e deri te aktorët, kemi ardhur në konstatimin se kjo është për këtë kohë dhe për këtë hapësirë, idealja”, u shpreh Enver Petrovci, regjisor “Hajdutja e bukur”.
Edhe dramaturgu Ruzhdi Pulaha ka pohuar se në teatrot tona duhen zgjedhur më shumë vepra nga autorë shqiptarë.
“Kam idenë se ristarton dhe indikon në shumicën e familjeve shqiptare në disa nga problemet, siç janë marrëdhëniet nuse-bir. Humori nuk qëndron te problematika dhe te drama që kanë personazhet, por te mënyra se si e perceptojnë personazhet hallin dhe dramën e tyre”, tha Ruzhdi Pulaha, autor “Hajdutja e bukur”.
E gjithë ngjarja zhvillohet brenda një shtëpie, ku përmes një sërë ngjarjesh dhe intrigash shpaloset një histori njerëzore e kohës ku jetojmë.
Personazhet janë njerëz të thjeshtë, të cilët secili në vetvete mbartin brengat e tyre. Një gjyshe, që i qan zemra për një nip, një djalë intelektual, që fsheh nga e ëma faktin se nuk mund të ketë fëmijë, dhe një nuse, e cila për të mbrojtur të shoqin duron edhe akuzat e vjerrës për shterpësinë e saj.
Problemeve u shtohet edhe fqinja e tyre e varfër, e cila përpiqet të përfitojë disa prej parave që plaka ka trashëguar së fundmi, duke i prezantuar një nip të gënjeshtërt.
Top Channel