F1, Lauda: Gomat Pirelli janë qesharake

20/03/2013 08:30

Niki Lauda, tre herë kampion bote në Formulën 1 dhe aktualisht aksioner i skuderisë Mercedes, ka kritikuar ashpër gomat Pirelli, të cilat në garën e Australisë treguan se konsumohen shumë shpejt.

“Situata që është krijuar aktualisht prej gomave është qesharake. Po provokohen ndalesa në bokse artificialisht dhe kjo nuk ka kuptim”, theksoi Lauda për ‘Bild’.

“Shumica e njerëzve që ndjekin Formulën 1 nuk po kuptojnë se çfarë po ndodh gjatë garës. Nuk është faji i Pirelli-t sepse ata bëjnë goma sipas porosive të FIA-s (Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit)”, shtoi Lauda.

“Kur gomat janë kaq të buta, është keq për garat. Kur ka më shumë se dy ndalesa në bokse, nuk merret vesh se çfarë po ndodh”, përfundoi komentin e tij Niki Lauda.

Top Channel