Beckham “debuton” në Kinë

20/03/2013 00:00

David Beckham mbërriti në Kinë për një vizitë dy-ditore ku përvec pritjes së ngrohtë nga fansat e tij, iu dha edhe titulli ambasador global i futbollit kinez.

Megjithëse “i kollarisur”, ish-lojtari i Manchester United, Real, Milan e Los Angeles Galaxy që aktualisht luan për PSG-në në kampionatin francez nuk i rezistoi tundimit për të treguar aftësitë e tij kur iu bashkua një skuadre amatore të futbollit vendas, ndërsa ndeshja ndiqej nga qindra fansa të legjendës angleze të futbollit.

Angazhimi më i fundit i Beck’s si ambasador botëror i futbollit kinez rrit më shumë zërat për një kalim të mundshëm të tij në kampionatin kinez, fill pas përfundimit të kontratës 5-mujore që ka me francezët e PSG-së.

Beckham firmosi në muajin janar për skuadrën franceze. Në kontratë parashikohet një pagë prej 3 milion eurosh, para të cilat “Spice Boy” ka premtuar se do t’i dhurojë që të gjitha për bamirësi.

Nëse kalimi në Kinë do të realizohej, Beckham nuk do të ishte i pari emër i madh i futbollit që zgjedh të luaj për disa javë, muaj apo vite në kampionatin kinez. Një gjë të tillë, në perëndim të karrierave të tyre në futbollin e luajtur zgjodhën edhe Anelka e Drogba.

Top Channel