Marsela: Unë në “The Voice” italian

18/03/2013 17:50

Finalistja e edicionit të parë të “The Voice of Albania”, Marsela Çibukaj, i është futur një sfidë të re po aq emocionuese, atë të “The Voice of Italia”.

Pasi kaloi raundin e parë të përzgjedhjeve në vendin fqinj, Marsela tashmë mund të krenohet me faktin se renditet midis 60 zërave më të mirë të Italisë, ndërsa përgatitet për të vazhduar paraqitjen e saj impresionuese më tej.

E ftuar në “Pasdite” në “Top-Channel”, Marsela rrëfeu për publikun shqiptar këtë përvojë të veçantë. “Për mua, janë emocione të veçanta dhe një krenari e rrallë që ndodhem midis 60 konkurrentëve që kaluan raundin e parë midis 1 500 pjesëmarrësve”, deklaroi Marseja.

“Në “The Voice” italian ka shumë rivalitet, shumë njërëz shumë të kulturuar në muzikë, specialistë në shumë rryma, por unë shkoj me thjeshtësinë time, me aq sa kam mundësi dhe me atë që më ka dhënë Zoti. Për mua mbetet një arritje e madhe, pavarësisht se si do të shkojë konkurrimi deri në fund”.

E shumëpërfolur, në pjesëmarrjen e parë të 28-vjeçares, ishte vendimi i saj për të interpretuar një këngë të një prej anëtareve të jurisë. “Është një temë që shumë nga komentet në FB e kanë trajtuar, por e vërteta është se kjo nuk ishte zgjedhja ime”, shpjetoi Marsela.

“Kur më ftuan të merrja pjesë tek “The Voice”, sugjeronin pesë këngë italisht dhe pesë anglisht. Unë gjithmonë kam kënduar në anglisht dhe në italisht nuk kam ndonjë repertor të madh. Mes këngëve që më përzgjodhën në italisht ishte edhe ajo e Noemit, në një kohë kur nuk dihej ende që ajo do të ishte pjesë e jurisë. U sikletosa edhe unë kur më pas më ftuan të merrja pjesë në skenë dhe të interpretoja këtë këngë, por nuk mund të bëja mendjemadhen dhe të kundërshtoja zgjedhjen e tyre. Më dha kurajo mësuesja ime në Itali, e cila më tha se edhe sikur “fletët e verdha” të të japin për të kënduar, ti përsëri do t’i interpretosh në mënyrën tënde”.

Përpara se të përgatitet për fazën e betejës së drejtëpërdrejtë me anëtarët e të njëjtës skuadër, e fundit mbrëmje e regjistruar përpara netëve live, Marsela zbuloi edhe një detaj për stilin e saj të veshjes në pjesëmarrjen e parë. “Një tmerr i vërtetë, nuk kisha zgjedhur atë veshje, por një rozë antike, të cilat vajzat e kostumagrafisë së “RAI”-t, e dogjën gjatë hekurosjes. Në ato kushte, u detyrova të improvizoj me disa veshje që kisha marrë me vete. Nuk ishte idealja, por e rëndësishme për mua ishte të shkoja dhe të këndoja mirë, prandaj e tejkalova edhe këtë problem”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA