F1, Button: Nuk fitohet me këtë McLaren

18/03/2013 11:10

Jenson Button është shprehur se makina McLaren nuk do të fitojë asnjë garë me nivelin aktual që po tregon.

Piloti kryesor i skuderisë britanike përfundoi garën e parë sezonale të Formulës 1, Cmimin e Madh të Australisë, në vendin e nëntë, shumë larg nga kryesuesit.

“Me nivelin që kemi aktualisht, nuk mund të fitojmë asnjë garë”, deklaroi piloti britanik, i cili në provat zyrtare regjistroi kohën e dhjetë më të mirë, ndërsa shoku i tij i skuderisë, Sergio Perez, përfundoi garën në vendin e 11, pasi u nis nga vendi i 15.

“Duhet të sjellim të reja të tjera tek makina. Vetëm kështu mund të kthejmë rezultatet e mira, duhet një përmirësim i menjëhershëm. Kemi qenë edhe më parë në situata të këqia dhe kemi dalë prej tyre me punë”, deklaroi Button.

“McLaren është një skuderi që është mësuar me fitore dhe për këtë arsye duhet të marrim çdo të dhënë të mundshme, ta analizojmë dhe të diskutojmë se si mund të përmirësojmë makinën”, shtoi britaniku.

Top Channel