Ministria e Drejtësisë, me anë të një komunikate zyrtare, ka njoftuar nisjen e inspektimit për çështjen penale në ngarkim të shtetasit Adrian Prrenjasi, i cili u lirua nga gjykata në vitin 2008.
Sipas këtij njoftimi, “Inspektimi do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë, me objekt kontrollin e veprimeve proçeduriale në proçedimin penal nr.1623, viti 2008 në ngarkim të të pandehurit Ardian Prenjasi”.
Prrenjasi ishte i akuzuar për veprën penale të “heqjes së paligjshme të lirisë”, por gjykohej në gjendje të lirë duke mos u vlerësuar as nga prokuroria dhe as nga gjykata si një person me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë.
Historia e parë e Prrenjasit bënte fjalë për marrjen në gjendje të dehur të një fëmije në shtëpinë e tij, të cilin për një orë nuk e lejoi të dilte nga shtëpia, derisa fëmija kishte ikur me vrap nga banesa e tij.
Një histori për të cilën do të duhej një hetim i thellë dhe jo i përciptë siç ka ndodhur, për shkak se, edhe pse një nga veprat penale më të rënda të Kodit Penal, Prrenjasi është gjykuar në liri. Ai ka shprehur pendesë në çdo seancë gjyqësore dhe gjithë kohën ia ka kaluar fajësinë gjendjes së dehur.
Në 2008-ën, ai nuk kishte asnjë preçedent të mëparshem penal, pavarësisht se në Librazhd edhe vetë familja e tij ka patur akuza të rënda për të. Vetë gjatë dhënies së dënimit, gjyqtarja Shefkije Demiraj shprehet se:
“Në caktimin e masës së dënimit gjykata merr në konsideratë faktin se dënimi ka karakter individual dhe në këtë kuptim, në dhënien e tij duhet të mbahen parasysh rrezikshmëria e veprës penale, e autorit të saj, shkallën e fajësisë, rrethanat lehtësuese dhe rënduese, me qëllim që ai të jetë në përshtatshmëri dhe raport të drejtë, jo vetëm me rrezikshmërinë e veprës dhe të autorit të saj, por dhe që të jetë i tillë që të vlejë për rehabilitimin e tij”.
Por në rastin konkret, zinxhiri i përgjegjësive nis që nga hetimi dhe ngritja e akuzës nga prokuroia: nëse vetë prokuroria hetoi mbi të pandehurin, nëse e kishte kryer krimin si një tentativë përdhunimi ndaj fëmijës apo jo. Vetë prokuroria nuk kërkoi dënimin me burg të tij, por dënimin me gjobë.
Që Prrenjasi dyshohej për rrëmbim dhe pedofili, kjo nuk është konstatuar nga asnjë prej dy organeve, as nga prokuroria dhe as nga gjykata, të cilat mendonin se krimi që ai kishte kryer ishte i bazuar në faktin që ai ishte i dehur.
Në rastin konkret, vetë gjykata është shprehur se, vlerëson personalitetin e të pandehurit si person i padënuar më parë për asnjë lloj vepre penale.
Ndërsa prokurori Blerim Tomini ka çmuar gjatë seancave gjyqësore se, i pandehuri ka pranuar akuzat që në veprimet hetimore dhe është thellësisht i penduar, ndaj kërkoi shifrën e dënimit me gjobë 100 mijë lekë dhe nuk apeloi asnjë vendim të gjykatës, i cili ka qenë vetëm 10 mijë lekë më pak nga sa kërkoi akuza, pra 90 mijë lekë.
Gjithashtu, gjykata në vendim ka çmuar edhe se ky dënim do t’i shërbejë edukimit të të pandehurit, parandalimit të kryerjes së veprave penale nga ai, rehabilitimit të tij, si dhe parandalimit të përgjithshëm të këtyre veprave penale në shoqëri.
Top Channel