Kryesocialisti Edi Rama e cilësoi një tradhëti të madhe atë që sipas tij ka bërë Partia Demokratike me veriun e Shqipërisë, të cilin e ka braktisur pa asnjë mbështetje, siç tha ai, duke e konsideruar thjesht një grumbull votash e asgjë më shumë.
“Zonat ku historikisht PD-ja ka marrë më shumë vota janë zonat më të varfëra, më të papuna dhe më të braktisura të vendit. Për PD-në në ato zona nuk jetojnë njerëz, por vetëm zgjedhës të cilët sa më të varfër të jenë, aq më lehtë “futen në thes” me një ndihmë të vogël ekonomike, një thes miell ose dy teke raki në ditën e votimit”, deklaroi kreu i opozitës.
Një ditë pas konventës së organizuar në Diber, zoti Rama e vuri theksin tek ajo që do të jetë kjo zonë sipas tij pas 23 qershorit, me ardhjen në pushtet të PS-së. E me këtë rast kryetari i PS-së prezantoi edhe kreun e grupit të kandidatëve në këtë qark, Shkëlqim Canin, duke bërë publik edhe njërin prej kushteve të vendosur nga ai kur i është bërë oferta për tu bërë pjesë e ekipit të “Rilindjes” kombëtare: “Kur e ftova të hynte në politikën aktive, më vuri një kusht: zotimin tim personal se qeveria jonë do ta ndërtojë Rrugën e Arbrit, të cilën Shkëlqimi i konsideron themel në zhvillimin ekonomik të Dibrës. Ndërsa unë i kërkova një kontribut të posaçëm për Bulqizën.”
Vetë kandidati Shkëlqim Cani, përveçse ka renditur piketat për zhvillimin e mëtejshëm të zonës së Dibrës, ka theksuar edhe projektin për rritjen e punësimit edhe në një tjetër zonë të ketij qarku, siç është Bulqiza: “Do të bëjmë të gjitha përpjekjet që jo të shkurtohet numri i punëtorëve, por me mirëqeverisje të shtojmë të punësuarit dhe t’i japim atë që i takon.”
Top Channel