LSI, pro votës së 16-vjeçarëve

17/03/2013 17:10

Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë sërish thirrje për votimin e tre ligjeve integruese, të cilat, siç tha edhe Petrit Vasili, nuk duhen përdorur për shantazhe politike.

“Nuk mundet kurrsesi që integrimi të lidhet me këtë datë, dhe ky është një gabim i rëndë dhe historik për politikën shqiptare, sepse në fund të fundit integrimi nënkupton në vetvete gjithmonë dialog dhe komunikim politik. Nuk do të thotë 23 qershori të riprodhojë atë fenomenin që opozita, cilado qoftë ajo, të përsërisë një taktikë bllokimi dhe pengimi të procesit, por duhet të ndodhë e kundërta, dialogu duhet të vazhdojë. Në fund të fundit, apeli i vetëm, që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Europian, është dialog dhe vetëm dialog”, u shpreh Vasili.

Zoti Vasili ka shprehur gadishmërinë e LSI-së për përfshirjen edhe të 16-vjeçarëve në votime, si një risi që, sipas tij, do të ndihmonte dhe do të freskonte edhe më tej politikën shqiptare. Ai u ndal te fakti se kjo forcë politike, 16-vjeçarët i ka bërë pjesë që më parë të vendimmarrjes në parti.

“Vullneti është çështja kryesore, kur ka pasur vullnet ju e keni parë se kushtetutat kanë ndryshuar, kode zgjedhore të mosmiratuara për muaj e muaj të tërë kanë përfunduar brenda dy orësh, pra është çështje vullneti. Në këtë rast është çështje ndarjeje, ne kemi besim të plotë te 16-vjeçarët, që janë një kategori e rëndësishme, mjaft mirë e informuar dhe me mentalitet krejt ndryshe, kështu që duhen të përfshihen në jetën e vendit. Ka forca të tjera politike, si PS që ju i jeni referuar, që nuk i duan të marrin pjesë. Kjo është çështje ndarjeje filozofish”, përfundoi Vasili.

Top Channel