Drejtues të forcës politike Fryma e Re Demokratike zhvilluan një takim me banorë të rrethit të Mallakastrës.
Bamir Topi, në fjalën e tij, tha se Mallakastra, megjithë resurset e saj kryesisht në fushën e hidrokarbureve, është lënë krejtësisht në harresë nga qeveria.
Topi deklaroi se privatizimi i sektorëve të naftës apo fatkeqësitë e shkarjes së tokës në rrethin e Mallakastrës anashkalohen, me tollumbace që lëshon qeveria për të tërhequr vëmendjen nga këto problematika jetike.
“Në rast se ne diskutojmë për shtetin e së drejtës dhe demokracinë funksionale, kërkojmë institucione të pavarura, një Kuvend të Shqipërisë funksional, një qeveri të përgjegjshme, një marrëdhënie normale midis mazhorancës dhe opozitës, kërkojmë që imazhi i Shqipërisë të jetë pozitiv dhe të mos përfundojë puna si në ambasadat tona në Uashington apo në Europë, të cilat sot kanë patur jo thjesht kurajon për ta deklaruar se janë në vështirësi, por kanë arritur në pikën e fundit dhe janë detyruar të mbrojnë edhe veten. Nuk do të jemi të padrejtë, sikurse është qeveria aktuale sot, ku biznesi që është afër qeverisë, afër familjes lulëzon, ndërsa të gjithë bizneset e tjera gjobiten e pengohen në mënyra të drejtpërdrejta apo indirekte”, tha Topi.
Në takimin e zhvilluar në qytetin e Ballshit, kreu i FRD Bamir topi u shpreh se, nëpërmjet programit që do të shpaloset në muajin prill, kjo parti do t’u tregojë shqiptarëve se është një forcë politike, që ka për qëllim kryesor përfundimin e tranzicionit të tejzgjatur dhe futjen e një fryme të re demokratike.
Top Channel