Kabashi refuzon kuqezinjtë: Mos më thërrisni më!

15/03/2013 00:00

Elvis Kabashi, lojtari i U19 shqiptare dhe i të rinjve të Juventusit ka refuzuar përfundimisht dhe zyrtarisht kombëtaren kuqezi.

Kabashi, që në 20 shkurtin që kaloi mbushi 19 vjeç ka njoftuar vendimin e tij nëpërmjet një letre zyrtare dërguar Federatës Shqiptare të Futbollit ku i kërkon kësaj të fundit të mos e ftojë më për të veshur fanelën kuqezi.

“Kam luajtur disa ndeshje për kombëtaren shqiptare të të rinjve dhe u jam shumë mirënjohës për interesin që keni shfaqur për mua deri ditën e sotme, por ju ftoj të mos më thërrisni më në të ardhmen, sepse dëshira ime është të luaj me kombëtaren italiane të futbollit”, thotë Kabashi.

Më tej 19-vjeçari shton se ai është një qytetar italian, i lindur e rritur në Itali dhe se ndjehet më shumë i lidhur me Italinë se sa më Shqipërinë.

“Shpresoj të mirëkuptoni zgjedhjen time. Në të ardhmen, përgjigje pozitive nga ana ime do të marrë vetëm një ftesë e federatës italiane të futbollit”, përfundon letra.

Letra, e shkruajtur në anglisht, përvec Federatës Shqiptare të Futbollit i është dërguar edhe FIFA-s.

Top Channel