Champions, reagimet pas hedhjes së shortit

15/03/2013 13:40

Shorti i çerekfinaleve të Champions League u përjetua në mënyra të ndryshme nga drejtuesit e secilit prej ekipeve.

Në orët në vijim, këto ishin reagimet e drejtuesve apo futbollistëve, nga të tetë ekipet e mbetura.

Bajern Mynih-Juventus

Bastian Schwainsteiger (futbollist): “Juventusi është një skuadër shumë, shumë e mirë. Ata janë shumë të fortë fizikisht dhe kanë disa futbollistë të mrekullueshëm, si Andrea Pirlo. Ndeshjet ndaj tyre janë gjithmonë tepër të forta, edhe për shkak të lojës taktike që ata preferojnë”.

Manuel Neuer (futbollist): “Ekipet italiane janë shumë mirë të organizuara dhe tepër të bezdishme për të luajtur kundër, por besojmë fuqimisht në shanset tona për t’u kualifikuar më tej”.

Pavel Nedved (drejtues i Juventusit): “Bajerni është një prej ekipeve më të forta me të cilat mund të na qëllonte, por përgatitemi për këtë sfidë me entuziasën. Mendoj se Bajerni është shumë i ngjashëm me Juventusin në shumë drejtime dhe kjo do ta bëjë edhe më të vështirë për ne. Sidoqoftë, jam krenar që ekipi ynë është midis tetë më të mirëve dhe e vetmja italiane e mbetur. Shpresoj që të shijojmë sa më shumë këtë eksperiencë dhe të vazhdojmë me të njëjtin shpirt gare, si deri tani”.

Paris SG-Barcelona

Leonardo (drejtor sportiv i PSG): “Më keq se Barcelona nuk mund të bëhej. Për më tepër, do të luajmë ndeshjen e parë në shtëpi, pa Ibrën dhe të kthimit në “Camp Nou”. Ata janë një prej skuadrave më të mira në historinë e futbollit, por jo gjithmonë fiton më i miri. Jemi krenar për deri ku kemi mbërritur. Shpresoj që UEFA të reduktojë ndërkohë s’kualifikimin për Zlatan”.

Andoni Zubizarreta (drejtues i Barcelonës):
“Asnjë ekip nuk mund të mbërrijë rastësisht në çerekfinalet e Champions League. Vlerësojmë pozitivisht faktin që ndeshjen e dytë do ta zhvillojmë në shtëpi, por duhet të tregojmë shumë kujdes, pasi Paris SG ka shumë futbollistë të mirë. Është një skuadër që ka lojtarë me përvojë, që dinë të luajnë këto lloj ndeshjesh”.

Malaga-Borussia Dortmund


Julio Baptista (futbollist):
“Një short i vështirë, ndaj një ekipi tepër të fortë dhe ende të pamposhtur në Champions. Megjithatë, nuk mund të ankohemi, pasi askush nuk priste një rival të lehtë dhe midis kundërshtarëve, kishte edhe më të vështirë. Nuk jemi favoritë, por besojmë në shanset tona për të avancuar”.

Micheal Zorc (drejtor teknik i Borusias): “Ky është një short i pranueshëm. Malaga meriton shumë respekt dhe fakti që kanë ardhur deri në çerekfinale nuk është një rastësi, por gjithsesi është më mirë të luash ndaj tyre se sa ndaj Barcelonës, Realit apo Bajerit”.

Nuri Sahin (futbollist): “Ishim të shqetësuar për Porton në raundin paraardhës, por ata u eliminuan nga Malaga dhe kjo tregon shumë për këtë skuadër. E di cilësinë e Malagas nga kohai me tek Reali. Përballë Realit, atëherë bënë një lojë të shkëlqyer dhe do të bënim shumë gabim nëse do t’i nënvlerësonim”.

Real Madrid-Gallatasaraj

Aitor Karanka (zevendestrajner i Real Madridit): “Do te jete nje sfide emocionuese dhe aspak e lehte per skuadren tone. Gallatasaraj eshte nje skuader cilesore, me futbolliste te medhenj ne perberjen, por edhe te tjere me pak te njohur, qe formojne nje ekip te veshtire per t’u mundur. Nisemi si favorite, por duhet te justifikojme kete status me lojen tone ne fushe”.

Ali Durust (zëvendëspresident i Gallatasarajit): “Kur mbërrin në çerekfinale, të gjitha ekipet janë të forta, por Reali është mbi të gjithë. Pres që kjo ndeshje të ndiqet nga i gjithë komuniteti sportive me shumë entuziasëm. Ne do të bëjmë më të mirën tonë për të dalë faqebardhë. Zakonisht, përceptohet se ndeshja e parë jashtë përbën një avantazh, por nuk mendoj se ka ndonjë diferencë, aq më shumë në një sfidë si kjo.

Top Channel