Aleksander Cipa – Politikani i rëndësishëm Berisha përsëritshëm e bën të
rëndësishme të parëndësishmen. Në ditët e sotme, në fazën në të cilën
gjendet fushata elektorale në vend dhe sidomos për shkak të gjendjes në
të cilën na ka lënë dhe vijon të na lërë tranzicioni, çështja e votimit
të 16 dhe 17-vjeçarëve nuk është imperative.
Por politikani në fjalë ka një inteligjencë konsistente për sa i përket manovrimit të përhershëm në ture elektorale. Ka gjetur një kazus për të eklipsuar një gjendje dhe një mungesë. “Siguroj 16- vjeçarët e këtij vendi se nuk do të resht përpjekjen time derisa ata të votojnë me të drejta të barabarta me të tjerët. Kombi t’u japë 16-vjeçarëve të drejtën që u takon me tërë faktorët dhe rrethanat. Ftoj të gjitha forcat politike që të mos e bëjnë çështje debati dhe karshillëqesh, por ta marrin këtë si çështje të thellë themelore për 100 mijë qytetarët shqiptarë që mezi presin të dalin ditën e votimit që të vendosin për vendin e tyre për 4 vitet që do të vijnë”, tha zoti Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë.
Në këtë mënyrë dhe krejt papritur, politikani më i vjetër shqiptar dhe aktualisht më jetëgjati qeverisës, ka hedhur dhe këmbëngul të mbetet çështje e parë diskutimi, amendimi i Kushtetutës së vendit për përfshirjen në votim të kësaj kategorie moshore. Madje ka shpejtuar ta bëjë objekt të axhendës ditore të politikës, duke mundësuar një takim “urgjent” mes kreut të grupit parlamentar Patozi dhe homologut të tij socialist, Ruçi. Një ikje e rrufeshme nga axhenda dhe problematika që imponon realiteti dhe situata socio-politike e vendit.
Pse kjo kujtesë e befasishme për të drejtën themelore të 16-17-vjeçarëve? Nga doli kjo shifër prej 100 mijë votuesish që formësojnë këtë komunitet moshor? Kush ia referoi dhe kush ia kujtoi Kryeministrit këtë kategori të privuar nga e drejta e votës? Pse nuk u kujtua kur u trajtuan çështje të reformës zgjedhore dhe u kalua ligji për zgjedhjet? Pse e hodhi së pari si kërkesë dhe objektiv të vetin në mbledhjen e radhës së grupit parlamentar? Pse u ngut i pari, aleati në qeverisje zoti Meta për ta pranuar këtë përfshirje të këtij targeti votuesish në votimet e pritshme? A ka diçka tjetër pas kësaj kërkese për amendim të Kushtetutës dhe cila është mundësia për t’u zgjeruar amendimi edhe për aspekte të tjera nëse ndërmerret imponueshëm në kohën e mbetur të këtij Parlamenti?
Të gjitha këto janë arsye që mesa duket do t’i përfshijë si çështje më vete debati i pritshëm dhe i imponuar, i cili do të nisë në media dhe në politikë mes palëve. Edhe nëse mungon përfshirja e opozitës në “panele” sipas përvojës dhe gjasave, ai do të zhvillohet njësoj si kërkesa për referendumin për “tri ligjet” e pavotuara nga opozita, mes përfaqësuesve të spektrit politik dhe koalicionarëve aktualë dhe të pritshmëve.
Por le të mbetemi te këmbëngulja e Kryeministrit për të drejtën e përfshirjes në votime të 16 dhe 17-vjeçarëve.
Analizimi i rrethanave dhe arsyeve pse nuk duhen futur në këtë lojë të menjëhershme politike dhe elektorale 16-17-vjeçarët, ndoshta duhen lënë për pas këtyre zgjedhjeve. Por në kushtet kur Shqipëria vijon të mbetet shoqëri dhe vend në prehër të tranzicionit socio-politik, në momentet kur ky tranzicion mund të bëhet edhe më i përthelluar në ditët kur autoriteti i pushtetit kryeministror dominon plotësisht çdo autoritet tjetër pushtetesh, në momentin kur demokracia ka degraduar dhe vijon të degradojë në autokraci etj., etj., atëherë adoleshentëve të këtij vendi nuk u ofrohet përmbajtësish një e drejtë themelore, por u kërkohet të përdoret për llogari të keqe politike, për herë të parë zyrtarisht, një e drejtë e tillë. Në kësi kushtesh dhe në terren të tillë shqiptar, futja e përshpejtuar e 16-17-vjeçarëve shqiptarë në procesin votues, është akt i pastër i përfshirjes së tyre në “mësimin ndotës” të votimeve shqiptare.
Natyrisht që opozita së pari e ka injoruar këtë propozim të beftë dhe më pas e ka refuzuar edhe zyrtarisht, pas takimit të papritur të realizuar mes zotit Patozi dhe homologut Ruçi. Kjo duket se është përgjigjja logjike politike e një opozite, e cila gjendet jo më shumë se katër muaj larg datës së zgjedhjeve. Opozita prerazi e ka refuzuar ndryshimin e axhendës elektorale dhe pragzgjedhore, për shkak të propozimit kryeministror për amendim të Kushtetutës. Në arsyetimin e thellë, kërkesa për të drejtën e votës së adoleshentëve është së pari kërkesë për amendimin dhe pse jo edhe për ndryshime kushtetuese. Kohë më parë, në mediumet tona ka vijuar ankimi për ndryshimet kushtetuese të realizuara me konsensusin nominal Berisha-Rama të vitit 2008, të cilat u atakuan nga aktorë të shumtë të shoqërisë civile dhe faktorët politikë të nivelit të dytë, si një akt prepotent i dy aktorëve kryesorë të skakierës politike në vend.
Parë hollë-hollë, kërkesa e beftë e Kryeministrit për amendim të Kushtetutës është një moment i ri politik, i cili zbulon qartazi një qëllim dhe pse jo edhe skenar zhvillimesh. Kjo kërkesë nuk është aq naive sa ajo për referendumin paszgjedhor për “tri ligjet”. Është më e rafinuar. Në substancën e këtij propozimi është ideja për një moment të ri politik mes Kryeministrit Berisha dhe procesit zgjedhor, mes Kryeministrit të shumëpushtetshëm dhe pushteteve të tjera ligjore dhe institucionale, mes kushtetutshmërisë dhe autoritetit aktual të tij, mes lojës politike zgjedhore dhe aktorëve rivalë për qeverisjen e pas 23 qershorit të këtij viti. Ky propozim i beftë mund të mos mbetet thjesht një “tullumbace” që çorodit mendjet fëminore të skenës sonë politike, por pas fëmijëve me të drejtë votimi të munguar, mund të fitohet e drejta e të rriturit deri në pleqëri politike. Kujdes me të moshuarin e regjur politik, kur këmbëngul për të drejtat e fëmijëve të pakërkuara qoftë edhe një herë të vetme prej tyre, në 23 vjetët e këtij tranzicioni.
Top Channel