F1, Vettel: Po mundohen të na frenojnë

14/03/2013 15:30

Sebastian Vettel ka mbërritur në Australi jo shumë entuziast. Tre herë kampioni i botës deklaroi se testimet dimërore “nuk ishin aq të kënaqshme sa vitet e kaluara”, gjë që tregon se të rejat e Red Bullit RB9 nuk e kënaqin plotësisht 24-vjeçarin.

Në konferencën zyrtare të shtypit të FIA-s, piloti gjerman theksoi se ndalimi i përdorimit të lirë të DRS-së gjatë provave zyrtare është bërë në mënyrë që të frenohet skuderia e tij.

“Vitin e kaluar u paraqitëm shumë mirë në prova dhe sa herë që bëjmë diçka më mirë se të tjerët, tentohet frenimi ynë me mënyra të ndryshme. Nuk është hera e parë që ndodh, kështu që jemi mësuar”, deklaroi Vettel.

Nga ana tjetër, Mark Webber, piloti tjetër i Red Bullit, tha në lidhje me këtë temë: “Në rregullore gjithmonë ka ndryshime të vogla nga viti në vit. Këtë herë është kufizuar përdorimi i DRS-së në provat zyrtare dhe kemi punuar që të përshtasim makinën me këtë rrethanë të re. Nuk besoj se do të kemi probleme nga kjo e re sepse kemi qenë të shpejtë edhe pa DRS-në.”

Top Channel