Javi Martinez: Jam përshtatur tek Bayern

12/03/2013 11:20

Javi Martinez, mesfushori spanjoll i Bayern Munchen, është shprehur në një intervistë për faqen zyrtare të UEFA-s se ndihet gjithmonë e më shumë i integruar në klubin bavarez dhe se po luan “gjithmonë e më mirë”.

“Jemi shumë mirë në kampionat, në Ligën e Kampioneve dhe në Kupën e Gjermanisë. Ndihem shumë mirë dhe i ambientuar me ekipin. Shpresoj që së bashku me skuadrën të mbajmë formën e mirë deri në fund”, deklaroi blerja më e shtrenjtë në historinë e Bundesligës.

Martinez pranoi se në fillim kishte frikë përpara sfidës që e priste, por mikpritja që gjeti në Mynih e ndihmoi shumë: “Të gjithë u treguan të mirë me mua kur erdha në Gjermani. Kisha frikë sepse po vija në një vend të huaj pa ditur gjuhën. Shokët më kanë ndihmuar shumë dhe më duket sikur kam vite që luaj për Bayern Munchen.”

Bayern Munchen do të luajë ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Ligës së Kampioneve të mërkurën ndaj Arsenal dhe në këtë takim do të mungojë Franck Ribery pasi u dëmtua në ndeshjen ndaj Fortuna Dusseldorf. Mungesa e francezit do i shtohet atyre të Bastian Schweinsteiger dhe Jerome Boateng, të cilët janë të pezulluar për shkak të kartonave.

Top Channel