F1, Raikkonen: Nuk di çfarë të pres

12/03/2013 12:15

Kimi Raikkonen ka deklaruar se nuk e di nivelin e makinës së tij në prag të garës së parë të Formulës 1, më 17 mars në Australi.

“Gjithmonë është vështirë të flasësh për garën e parë të sezonit. Nuk e dimë me saktësi se çfarë presim, por do të mundohemi të bëjmë maksimumin. Duhet ta nisim mirë këtë sezon të ri”, theksoi piloti finlandez i Lotus.

Raikkonen foli edhe për ndjesitë që i jep pista e Melburnit: “Nuk është cirkuit i vështirë. Australia është një vend i mrekullueshëm, por pak larg Europës. Mbaj mend fitoren me Ferrarin në vitin 2007 dhe duke qenë se pista nuk ka ndryshuar aspak, kjo do të thotë se e di si fitohet atje.”

Në fund, një herë kampioni i botës deklaroi se makina e këtij sezoni e Lotusit është më e mirë se ajo e vitit të kaluar: “Njëvendëshja më jep ndjesi të mira. Mendoj se është përmirësuar në krahasim me vjet.”

Top Channel