Diplomacia jonë zyrtare, si bohemët në trotuare

12/03/2013 00:00

Aleksander Cipa – “Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si një komb me
njëfarë dinjiteti tragjik, ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një
farse muzikore të pavlerë.” – kështu shkruhet të ketë thënë Faik Konica.

Por ndodh shpesh që të riprovohet dramatikisht shpërfillja dhe sidomos degradimi i dinjitetit shtetëror shqiptar. Më i freskët është rasti i letrës së ambasadorit të Shqipërisë në Uashington, Gilbert Galanxhi, drejtuar sekretarit të përgjithshëm të MPJ, G.Turdiu, dhe në dijeni për Kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm. Një letër që nuk ka asnjë ndryshim përmbajtësor me letrat që dikur, në vitet 1938-1939, diplomati me klas të lartë, Konica, i përcillte qeverisësit të Shqipërisë, me frak të vetëshpalljes mbretërore, Ahmet Zogut. Bëhet fjalë për ripërsëritje të historisë së varfërisë së shpallur publikisht të selisë së diplomacisë zyrtare shqiptare në SHBA. Letra e bërë publike nga “Top Channel” e ambasadorit, nuk është një skandal i pjesshëm, por thjesht zbulimi i “një trupi” nën jorganin e financave publike të vendit. Gjendja e përshkruar dhe protesta e diplomatit të karrierës për selinë e vet diplomatike në vitin 2013, është një kujë për skandal të fshehur dhe heshtjen po aq skandaloze që ka pasuar përgjatë gjithë kohës që selia gjendet në këtë rrënim dhe vobektësi financiare.

Ka shumë komente dhe hamendësime, sikundër ka vetëm një dalje publike të ministrit aktual Panariti, i cili jo vetëm nuk sqaron se cili është reagimi emergjent i qeverisë, por nuk bën me dije se a është e njëjta gjendje mjeruese në selitë tona diplomatike në botë? A është vërtet një borxhli për qiratë e selive nëpër shtete të tjera Ministria e Jashtme? Kur nis përkeqësimi dhe sidomos statusquo-ja e kësaj gjendjeje? Cilat janë reagimet dhe përpjekjet mes kësaj ministrie dhe asaj të Financave për ndryshimin e situatës etj., etj.

Por ky skandal që lidhet drejtpërsëdrejti me imazhin e shtetit në botë, mbart edhe një skandal tjetër në vetvete. Ai është një skandal që buron nga një marrëdhënie e pastër politike. Në mandatin aktual të qeverisjes, diplomacia është mbajtur dhe po mbahet nga aleati në qeverisje me PD-në, pra LSI-ja. Si e tillë, kjo gjendje do të meritonte më tepër vëmendje nga të gjitha mediat dhe opinioni analitik i vendit. Një interpelancë për këtë çështje në Parlament, është e vonuar, por kërkesa për seancë e njëhershme dëgjimore prej Kryeministrit dhe ministrit të jashtëm, do të shprehte seriozitetin e duhur jo vetëm të palës zyrtare, por veçanërisht edhe të opozitës. Duhet një interpelancë, në të cilën ministrat e Jashtëm të pesë viteve të fundit të sqarojnë opinionin publik dhe Parlamentin e vendit pse së pari, selia e Ministrisë së Jashtme është shndërruar në mbi 1/3 e mjediseve të saj në një godinë karakatinë? Pse sistemi i shërbimit dhe i infrastrukturës së vet ka mbetur në gjendje mjerane dhe prej keqpërdorimit është degraduar në pamjen reale të një institucioni të vobektë? Nuk është e tepërt që deputetë të shumicës qeverisëse dhe më pas edhe ata opozitarë t’i kërkojnë kryetarit të LSI-së, zotit Meta, që “kërkon të ecim më shpejt”, se pse e ka pranuar një gjendje të tillë? Pse rrjeti i institucioneve të diplomacisë shqiptare nuk ka së paku as komoditetin e selive lokale të partisë së vet? Si e ka pranuar e aq më tepër pse ka heshtur sa kohë është rrënuar plotësisht buxheti i këtij institucioni të dorës së parë?! A është kjo një shkelje me përgjegjësi të plotë ligjore?

Është e nevojshme të sqarohet jo për interesa politike, por për transparencë publike, se nëse kjo gjendje financiare është e tillë edhe në ambasadat tona në vendet kryesore të BE-së, në kryeqytetet e vendeve fqinje ballkanike apo edhe në shtete ku autoriteti i ndikimit global dhe rajonal është i lartë, atëherë ne kemi humbur betejën për të qenë meritueshëm një shtet me kapacitete dhe mundësi reale integrimi. Për këtë skandal nuk mund të ketë më heshtje, sikundër nuk mund të pranohet stivosje apo injorim si në kohë fushate dhe për çështje elektorale.

Kjo gjendje do më tepër se kurrë një reagim institucional, këmbëngulës parlamentar, së pari prej Komisionit të Jashtëm. Nuk është fjala për opozitarizëm, por për një detyrë imperative për të rikthyer sadopak në funksion diplomacinë shtetërore. Letra e ambasadorit të Shqipërisë në Uashington, e publikuar pa dëshirën e askujt që gjendet në detyrime institucionale, na bën me dije edhe atë çka ngjet pas kuintave të diplomacisë sonë institucionale. Një seli diplomatike në gjendje të tillë, siç përshkruhet nga ambasadori Galanxhi, në kryeqendrën e vendimmarrjes globale nuk mund të realizojë aspak funksionin dhe misionin e vet. Ajo nuk përballet dot as me propagandën që bëjnë organizime komunitare me indulgjenca dhe sponsorizime nga fqinjët tanë e jo më të maten me veprimtarinë dhe ndikimin që luajnë selitë homologe diplomatike të shteteve ballkanike për çështje që kanë të bëjnë së pari me interesat tona strategjike dhe kombëtare. Një ambasadë e tillë shqiptare në Uashington, nuk mund të përballet as me përfaqësuesit e himariotëve grekofilë, që të joshur me dekada nga organizatat panhelenike greko-amerikane, vijojnë të helmojnë dhe dezinformojnë kongresmenë dhe titullarë të shquar të administratës amerikane për një kauzë që nuk bashkon dot as 1500 shtetas të kësaj zone me traditë dhe histori të qenësishme shqiptarësie. Çdo ambasador i Shqipërisë zyrtare dëshmohet gati i paaftë për të hequr apo edhe evituar nga dijenia një përfaqësues të veçantë të administratës amerikane, këtë mirazh helenizmi, i cili mbahet pareshtur në fuqinë e një realiteti trazues prej militimit të një prifti nga Dhërmiu apo një skote tjetër mërgimtarësh, njëanshmërisht të informuar. E sollëm këtë kazus, si konkretësi të pamundësisë së përmbushjes së misionit natyral institucional që duhet të kryejë një seli diplomatike për llogari të interesit dhe shërbimit shtetëror e kombëtar në SHBA. Shembja dhe rrënimi i funksionit, shërbimit dhe së fundi edhe i imazhit të selisë diplomatike shtetërore në Uashington, është një akt i rëndë, i cili meriton të trajtohet edhe prej ndërhyrjes ligjore mbi përgjegjësit dhe administratorët institucionalë.

Këmbëngulja për të rikthyer dinjitetin e diplomacisë sonë në vend, nëse nuk është ndërgjegje e qenësishme e opozitës që pretendon “rilindje”, së paku le të bëhet e shoqërisë civile, e organizmave parapolitike dhe zërave të shumtë publikë. Mjerimi skandaloz i ambasadës në Uashington dhe ai i pazbuluar në selitë e shumta shqiptare në botë, na ka dhënë imazhin e plotë të një dualizmi negativ: Një diplomaci qeverie me pagesa multimilionëshe për grupet e lobimit, e cila konverton diplomacinë shtetërore në gjendjen dhe imazhin e bohemëve që flenë në kuti kartoni nëpër kthinat e bulevardeve dhe godinave metropolitane të Perëndimit. Atdheut dhe qytetarëve u duhet dhe u vlen, vetëm diplomacia që është katandisur “boheme”. Për këtë le ta ngremë zërin si shtetas.

Gazeta “Shqip”

Top Channel