Në kuadër të dialogut për normalizimin e mardhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, para se të udhëtojë në Prishtinë më 14 mars, Përfaqësuesja e lartë e BE-së priti në Bruksel udhëheqësit serbë.

Përmbyllja sa më parë e diskutimeve për veriun e Kosovës ishte tema kryesore e takimit që Baronesha Ashton zhvilloi me presidentin Nikoliç, kryeministrin Daçiç dhe zëvendësin e tij Vuçiç, në bisedime që zgjatën rreth tre orë mbrëmjen e së hënës.

“Në takim theksova rëndësinë e arritjes së marrëveshjeve mbi çështjet e hapura mes dy palëve, sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Ashton, pa dhënë detaje të mëtejshme pas takimit.

Nga delegacioni serb për mediat foli vetëm presidenti Tomislav Nikoliç, i cili tha se në 10 ditët e ardhshme priten rezultate për një marrëveshje të mundshme për veriun e Kosovës, gjë që sipas tij do t’i hapte rrugë nisjes së negociatave të anëtarësimit të Serbisë me BE-në.

“Kemi ardhur deri tek lëshimi nga ana e palës shqiptare, e cila në fillim thoshte se nuk mund të ndryshojë asgjë në Kushtetutën dhe ligjet e tyre”, deklaroi Nikoliç pas pyetjes se çfarë ka ndryshuar së fundmi, duke përsëritur se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

Para takimit të radhës Thaçi-Daçiç të parashikuar më 20 mars, ndërmjetësuesja Ashton do të bisedojë këtë javë në Prishtinë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me udhëheqësit e partive politike në vend.

Pergatiti: Ernest Bunguri

Top Channel