Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Panariti la të kuptohet se i jep të
drejtë shqetësimeve të ngritura në letrën e tij nga ambasadori ynë në
Washington, duke ia kaluar përgjegjësinë Qeverisë e cila ka akorduar
fonde të pamjaftueshme për shërbimin tonë diplomatik.

“Më lejoni të theksoj se nuk ka vend për panik, shqetësimet për pamundësi të buxhetit unë i kam bërë prezente prej kohësh, në Komisionin e Jashtëm, në Qeveri, në Ministrinë e Financave. Padyshim që në Komisionin e Jashtëm kam pasur përkrahjen e të dy krahëve të politikës, në raport me kërkesat e mia. Këto çështje kërkojnë një zgjidhje ndërinstitucionale. Në këtë kuptim duhet lexuar edhe ajo deklaratë e Ministrisë së Jashtme që e konsideron një problem të brendshëm jo nga pikëpamja e mungesës së transparencës, por nga pikëpamja e zgjidhjes. Pra kërkon një zgjidhje ndërinstitucionale. Buxheti është transparent, është publik ju mund ta konsultoni në çdo kohë fondet që i alokohen Ministrisë së Jashtme për çështje të mbulesës së shërbimit diplomatik . Jemi të hapur, s’kemi asgjë për të fshehur”, tha Paniriti.

Këtë deklaratë ministri Panariti e bëri gjatë një konference shtypi të përbashkët me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Igor Lukshic. Panariti vlerësoi mardhëniniet mes dy vëndeve dhe tha se i propozoi ministrit Lukshic nënshkrimin e një memorandumi për të mbështetur projektin TAP.

Pak përpara konferencës për shtyp Shqipëria dhe Mali i Zi nënshkruan dy marrëveshje që lidhen me arsimin dhe shkembimin e informacionit të klasifikuar. Gjatë vizitës së tij në Tiranë zoti Lukshic është takuar edhe me zyrtarët më të lartë në vend.

FRD: Gjendja e ambasadave, faji i qeverisë

Partia Fryma e Re Demokratike ka akuzuar qeverinë Berisha për gjendjen skandaloze në të cilën ndodhen ambasadat shqiptare nëpër botë.

Në një deklaratë për mediat, eksponentja e FRD, Mirela Bogdani e cilësoi situatën si tepër alarmante, sidomos për situatën e ambasadës shqiptare në SHBA, partneri kryesor strategjik i Shqipërisë.

“FRD bën përgjegjëse për gjendjen skandaloze të misioneve diplomatike shqiptare qeverisjen aktuale. E gjitha kjo është një shenjë e krizës së thellë të shërbimit diplomatik, me shkeljen e statusit të këtij misioni”, deklaroi Bogdani. 

Top Channel