Artan Mullaj – Ikja e Saliut natyrisht do të ketë një çmim, një pasojë,
qoftë edhe të përkohshme. Ashtu siç ndodh kur shkulet nga toka e
shkretuar një pemë e thatë, e shëmtuar, e mplakur, që nuk duhet më,
largimi i tij nga skena nuk do të jetë kaq i thjeshtë.
Për ta shkulur, nevojitet një fuqi aq më e madhe, sa më e madhe dhe më e thellë është lidhja e pemës me tokën. Si në çdo shkulje, do të pasojnë shkatërrime që do të jenë gjithashtu në përpjesëtim me fuqinë, madhësinë dhe thellësinë e rrënjëve. Do kthehen plisa përmbys, do dëmtohet trualli, bimët apo fidanët e tjerë rrotull dhe do krijohet një gropë e zezë pas…
Midis etiketimeve të shumta që i bëhen Berishës, askush nuk ka thënë asnjëherë se ai është një gur i lehtë. Askush nuk e ka thënë kurrë që ai është një mi kanalesh në politikë. Shumica e di se “Mubaraku” ynë nuk është si ata fidanët e brishtë të Lulzim Bashës, që pasi i mbjell në liqenin artificial ditën, me zhurmë, kamera dhe ngërdheshje, i shkul natën për t’i mbjellë ditën tjetër diku në Laprakë, për të krijuar imazhin e lirë të një “ylli në ngjitje”. Jo! Saliu është tjetër gjë. Ai ka rrënjë të thella në perceptimin publik të shqiptarëve.
Pse themi “i fuqishëm Saliu”? Sepse edhe pas 8 vitesh konsumim mizor të pushtetit, largimi i tij nuk është i lehtë. Mobilizimi opozitar, i gjithanshëm, i pazakontë, i paparë, e vërteton më së miri këtë gjë. Fakti se po krijohet një koalicion real dhe surreal (i ngjashëm me aleancën krishtere të Perëndimit në mesjetë, për të përballuar vërshimin osman të Sulltan Sulejmanit), dëshmon të njëjtën gjë: Aleanca shpirtërore kundër Saliut, ashtu si frika prej tij, është më e madhe se kurrë.
Opozita me të drejtë e ka marrë seriozisht fuqinë dhe “thellësinë” e Saliut, që qëndron si “Rrapi madhështor i demokratëve, ndanë udhës së tranzicionit”. Shumica e shqiptarëve e kanë kuptuar se ky rrap duhet shkulur njëherë e përgjithmonë nga toka e tharë e fatit të shqiptarëve. E meritojnë ata këtë ndalesë, këtë kthesë. Por që ta shkulësh Berishën nga froni është një punë e vështirë! Vetëdija e plotë e rrezikut, mbi të cilin po e mbështet strategjinë e tij Edi Rama, e tregon më së miri këtë.
Çfarë po bën Edi Rama? Po krijon një ekip elektoral ku ka edhe emra që nuk e përfaqësojnë natyrshëm Partinë Socialiste. – Vetëm në mes të rrezikut lind mundësia!… – Kryetari i PS po rrezikon duke ftuar e futur në listën e PS njerëz që nuk kanë kontribut të qartë në Partinë Socialiste, por kanë akses të qartë publik me performancën apo personalitetin e tyre. Qëllimi? Të sulmojë kundërshtarin në pikën e tij më të fortë, që është perceptimi! Të trazojë vetëdijen e votuesve të PD me emra publikë që kanë një lloj reputacioni civil sa në elektoratin e majtë, aq në të djathtin. Peza, Celibashi, Sollaku, Muçmata etj., nuk janë prurje të natyrshme të PS, por janë potenciale publike, përmbi koralet politike, prej të cilëve Rama shpreson të fitojë dhe krijojë vëmendje, në mos te kundërshtarët, tek të lëkundurit.
***
Si çdo bashkim vullnetar, Partia është “fryma” që krijon përkushtimi i përbashkët i një grupi që bashkuar i mban një kauzë, qoftë kjo edhe pushteti. Sa më larg materies është si koncept kjo “frymë”, aq më shumë ajo materializon apo motivon ndenjjen e pjesëtarëve të këtij grupi në aktivitet të përbashkët. Kur vjen puna te gara, cilësia, kriteri e saj është përfaqësimi. Si vlerë, përfaqësimi duhet të jetë rrjedhim logjik i vullnetit të grupit, një rezultante surreale e perceptimit të përbashkët për atë që do të përfaqësojë. Për ta thjeshtuar, një grupim politik siç është Partia Socialiste, nuk mund të përfaqësohet përveçse nga vullnete që kanë kontribuar dhe krijuar frymën e qenies së saj dhe kurrsesi nga prurje të huaja, të sjella nga jashtë. Përfaqësimi i kësaj force me emra që nuk i takojnë grupimit politik, është si të pranosh mungesën e kualiteteve, apo të mohosh kontributet. Rrjedhimisht kjo i shërben së kundërtës së asaj që mban në grupim një parti, pra i shërben prishjes së frymës apo cenimit të arsyes se përse ekziston ky grupim. Dhe ç’ndodh? Prishja e frymës sjell prishjen e koherencës, çmotivimin dhe zbehjen e vullnetit për të qëndruar në aksione ku vullneti yt nuk mund të përfaqësohet. (Asllan Dogjani, pavarësisht aftësisë së tij të përfaqësimit, si pjesë e grupimit, është në të drejtën e tij të reagojë ndërsa befas nuk e sheh veten të vlerësuar në ambicien e tij, si një vullnetar i përkushtuar në partinë e tij).
Po e quajmë “çmaterializim i frymës” në Partinë Socialiste. Kjo me sa duket do të jetë fatura, çmimi i ikjes së Saliut. Në këtë mënyrë, disa do të bëhen “kurban” me qëllimin final për të shkulur Saliun nga trualli i pushtetit. Pyetja, a do të krijojë plasaritje në PS kjo gjë, është retorike. Kultura jonë ka në themel sedrën kolektive, lëndimi i së cilës spikat aq më shumë në bashkime të tilla vullnetare siç janë partitë, ku mirëkuptimi është një gjë e vështirë. Shumë eksponentë të PS-së që shpresonin të ishin në mendjen dhe në listën e kryetarit të tyre, nuk do të jenë për shkak se lista ka një limit. Shumë nuk do të jenë të lumtur nga përzgjedhjet e kryetarit. Do të lëndohen teksa do shohin që puna, shpresat dhe besimi i tyre do të përfaqësohen nga njerëz që s’kanë harxhuar një sekondë nga jeta e tyre në betejat elektorale. Mbas një jete në punë, në teren, në aksion, në përballje me kundërshtarin, do t’i duhet të përballen edhe me zhgënjimin. Do të kujtojnë edhe atë shprehjen: “Punon kali të hajë gomari!” Disa të tjerë do të zemërohen aq më shumë, sa më pak bindës të jenë emrat e huaj që do përfaqësojnë befas partinë e tyre në zgjedhjet e ardhshme. Të tjerë mund të egërsohen ose edhe largohen sikur mes të huajve të ftuar rishtas, ka të tillë që në perceptimin e tyre nuk konvergojnë me moralin dhe ndershmërinë. (Jo rastësisht u përfol Celibashi, si kunati i Mediut të Gërdecit, për të cilin PS ka premtuar se do ta çojë në vend drejtësinë).
Megjithatë Rama ka zgjedhur të rrezikojë, t’i besojë instinktit të vet. Të përtypë zhgënjimin e të vetëve, që nuk do të jenë në listat e tij, duke pranuar të paguajë këtë gjë si taksën e heqjes së Berishës. Ka zgjedhur të rrezikojë, duke kërkuar një mirëkuptim të heshtur, që gjithkush të përpiqet të durojë dhimbjen që shkakton “shkulja e një gjembi në gisht”, për të shkulur njëherë e mirë, me gjithë rrënjë, nga shpirti i Atdheut, Saliun. A është ky një orientim i shëndetshëm apo i gabuar i kryetarit të Partisë Socialiste? Ka shumë arsye për të thënë që është i favorshëm. Por koha do ta provojë.
Top Channel