Bordi i Tiranës dënon incidentin e Kavajës

11/03/2013 20:20

Ish-futbollistë të Tiranës, të cilët tashmë janë anëtarë të këshillit mbikëqyrës të klubit të futbollit Tirana, kanë dalë në mbrojte të trajnerit Nevil Dede, i cili një ditë më parë, në ndeshjen Besa – Tirana pretendon se u dhunua nga kryetari i Bashkisë Kavajë, Elvis Rroshi.

Ata kërkojnë njëzëri të dënohen veprimet e dhunës dhe njëkohësisht që politika t’i mbajë larg duart nga sporti.

“Nuk është se u godit Tirana, por u godit institucioni, u godit miqësia, u godit familja. Nuk është shqiptarizëm kjo, që të të ftojë tjetri, të të japë bukë dhe të të përcjellë me grushta”, dënoi ngjarjen Luigj Bytyçi, anëtar i Këshillit Mbikqyrës së Tiranës.

Për Sulejman Memën, i cili disa vite më parë rrezikoi jetën pasi u godit me një gur në kokë gjatë një ndeshje, “fenomeni i dhunës në futboll inkurajohet nga drejtuesit kryesorë të këtyre klubeve. Kjo dhunë e çon futbollin në regres dhe jo në progres. Ekziston rregullorja dhe Federata duhet të marrë masa ekstreme”.

“Futbolli krijon një familje shumë të madhe dhe ne kërkojmë që të bashkohemi, jo të ndahemi me krahina apo veprime të ndryshme shumë të dënueshme. Ne kërkojmë që të jetë vazhdimisht në qendër të vëmendjes gjithmonë “fair-play”, por jemi ne vetë që e prishim”, akuzoi ish-kapiteni i Tiranës, Krenar Alimehmeti.

“Politika duhet të heqë dorë nga futbolli. Çuditem se çfarë po u tregojmë këtyre brezave që po rriten, duke treguar vetëm dhunë në sport. Kjo lojë nuk është luftë, në fund duhet të shtrëngojmë duart”, dënoi Agustin Kola, përfaqësues i trajnerëve të moshave.

I fundit, por jo për nga rëndësia, foli Indrit Fortuzi: “Masat, në këtë rast, nuk mund të merren ndaj një personi të caktuar, në këtë rast kryetari i Bashkisë së Kavajës. Masat do të merren ndaj klubit pritës. Kjo mund të jetë një ndër gjërat më të vogla që mund të kenë ndodhur apo ndodhin në kategoritë e tjera inferiore, por duhet t’i vijë fundi”.

Të dielën, pas ndeshjes Besa – Tirana, trajneri i bardhebluve Nevil Dede bëri një denoncim për kryetarin e bashkisë së këtij qyteti, Elvis Roshi, me pretendimin se ishte dhunuar nga ai në pushim të ndeshjes.

Kjo gjë solli irritimin e situatës për disa orë mes policisë dhe qytetarëve të kavajës dhe arrestimin e kryebashkiakut të Kavajes, Elvis Roshi me akuzën e kundershtimit te forcave te policisë.

Top Channel