Disa ushtararë amerikanë dhe afganë u vranë nga një terrorist i veshur me uniformën e ushtrisë së rregullt afgane, në sulmin e radhës “brenda radhëve”, lajmëruan mediat ndërkombëtare gjatë së hënës.
Disa të tjerë u plagosën, në incidentin e ndodhur në bazën e Uardakut, jo larg kryeqytetit Kabul.
Një zëdhënës i Pentagonit e konsideroi sulmin si një tradhëti. Një ushtrar i radikalizuar nga talebanët hapi zjarr mbi kolegët e tij brenda bazës, duke qëlluar me breshëri, përpara se të qëllohej dhe të vritej në vendngjarje.
Gjatë vitit të shkuar, më shumë se 60 trupa të NATO-s, përfshi kapiteni shqiptar Feti Vogli, mbetën të vrarë në sulmet e këtij lloji.
Kjo ngjarje e rëndë ndodh ndërsa Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i kërkoi në shkurt forcave amerikane që të largohen nga krahina e Uardakut, pas spekulimeve për tortura dhe zhdukje të anëtarëve të ushtrisë afgane, që bashkëpunojnë me marinsat.
Përballë pamundësisë së talebanëve për një luftë të efektshme frontale apo guerrile, konvertimi në terroristë i ushtarëve të rregullt po rezulton në taktikën më shqetësuese dhe më të vështirë për t’u kundërvepruar në Afganistan.
Top Channel