Shefi i ri i EULEX-it, Bernd Borchardt, u ka bërë thirrje qytetarëve të veriut të Mitrovicës që të bashkëpunojnë me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës në zbulimin e autorëve të sulmeve të shumta me bomba në veri të Kosovës, ku popullata serbe përbën shumicën.

Ai gjithashtu theksoi se të gjitha barrikadat në veri duhet të hiqen.

Në deklaratën e përcjellë nga “Telegrafi”, Borchardt ka thënë se EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë shtuar dukshëm praninë policore në veri, sidomos në veri të Mitrovicës, por sipas tij, është e domosdoshme që edhe qytetarët të bashkëpunojnë.

”Çdo natë, bashkë me pjestarët e Policisë së Kosovës, aplikojmë kontrollin e automjeteve të caktuara dhe hetojmë individë të ndryshëm. Gjithashtu ofrojmë përkrahje dhe bashkëpunojmë me policinë në hetimet që janë duke u zhvilluar”, ka thënë Borchardt për mediat serbe.

Sipas tij, qytetarëve në veri të Kosovës u janë shpërndarë fletushka si dhe janë bërë njoftime përmes medieve se roli i “EULEX”-it në zgjidhjen e problemeve në veri do të shtohet dukshëm.

“Asnjë shërbim policor nuk mund të jetë efikas pa bashkëpunimin dhe ndihmën e tërë shoqërisë. Përmes këtyre fletushkave dhe njoftimeve përmes mediave dëshirojmë të inkurajojmë banorët që të na informojnë në qoftë se kanë çfarëdo informacionesh lidhur me shpërthimet. Ne duam t’i gjejmë autorët e këtyre akteve”, ka thënë Borchardt.
Shefi i EULEX-it gjithashtu ka thënë se nuk është i kënaqur me lirinë e lëvizjes së misionit EULEX në veri të Kosovës.
“Të gjitha barrikadat duhet të zhduken, sepse kjo nuk është një gjë normale”, përfundoi Borchardt.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA