Në protestën e së premtes, kundër dhunës ndaj shqiptarëve, morën pjesë rreth 200 demonstrues, kryesisht nxënës të shkollave të mesme.
Forcat e shumta policore, që ndodheshin në gadishmëri lufte, nuk lejuan që turma e demontruesve, e cila u nis nga lagja Çair, t’i afrohej godinës së qeverisë.
Protesta kaloi me disa incidente të vogla. Gjatë shpërndarjes së turmës, disa të rinj sulmuan me gurë forcat policore, por nuk njoftohet për të lënduar.
Protesta nuk gjeti mbështetje të gjërë, sikur javën e kaluar, për shkak të thirrjeve të shumta të politikanëve për të bojkotuar këto protesta pa organizatorë, që thirren nëpër rrjetet sociale.
Një pjesë e protestuesve, që kishin dalë të shprehin revoltën e tyre kundër dhunës, që në fillim u shkëputën nga turma, me arsyetimin se nuk duan të marrin pjesë në protesta, organizatorët e të cilëve nuk dihen.
“Duhet t’i japim edhe një herë shans paqes dhe bashkëjetesës. Pala tjetër nuk dëshiron bashkëjetesë. Ne shkojmë në shkollë, ata na rrahin”, tha Ismail Jashari, protestues.
“Ali Ahmeti dhe Menduhi, ato që i kemi votuar, ato duhet t’i zgjidhin këto probleme. Çfarë ka punuar Ali Ahmeti në këto 5 vite? Lagjet Gazi Babë dhe Serovë ndodhen në qendër të Shkupit, le të vijë Ali Ahmeti t’i shohë ku jetojnë shqiptarët”, tha Shefki Dauti, një tjetër protestues.
Ndërkohë, mediat në Shkup kanë njoftuar se, natën e kaluar, policia maqedonase ka ndërmarrë një aksion të gjërë, me ç’rast janë arrestuar rreth 40 shqiptarë.
Ky aksion është ndërmarrë, pasi policia dyshon se personat e arrestuar kanë lidhje me protestat e javës së kaluar, por edhe për të parandaluar ngjarjet e dhunshme gjatë demostratave të sotme.
Top Channel