LSI: Integrimi, kryeçështja e shqiptarëve

09/03/2013 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim ka rikthyer në vëmendje ditën e sotme
çështjen e integrimit të vendit,  i cili sipas kësaj force politike ka
mbetur në stanjacion për shkak të mungesës së konsensusit.

Përmes një deklarate për mediat, nënkryetari i kësaj partie Petrit Vasili u bëri thirrje forcave politike që të gjejnë konsensusin për votimin e tre ligjeve dhe të mos përfshihen para kohe në çështjen e zgjedhjeve, duke e cilësuar integrimin si kryeçështje të shqiptarëve.

“Konstatojmë një stanjacion të procesit të integrimit dhe një vlerësim minor lidhur me rëndësinë që përmban. Po konsiderohet një argument për një luftë të hapur politike, një argument si gjithë të tjerët dhe elektoral. Tërheqim vëmendjen për vlerësimin e kësaj çështjeje, konsiderimin e saj si një vlerësim madhor dhe vëmendje të shtuar të apeleve shumë të qarta të BE-së dhe SHBA-së.

Politika duhet të ulet në tryezë dhe të harrojë për një çast të vetëm 23 qershorin, të ulen pa vështruar se cili do jetë rezultati zgjedhor dhe të përdorin kohën që kemi në dispozicion për t’i dhënë një zgjidhje shumë të shpejtë kësaj çështjeje”, tha nënkryetari i LSI.

Sipas Vasilit, nisma për referendum e ndërmarrë nga ana e mazhorancës është një shprehje  e vullneti që integrimi duhet të shkojë përpara me çdo kusht, por sipas tij zgjidhja më e drejtë mbetet ajo e gjetjes së konsensusit.

Top Channel