22 vjet burg ish-portierit të Flamengos

09/03/2013 00:00

Ish-portieri i Flamengos, Bruno Fernandes das Dores de Souza, është
dënuar me 22 vjet burg për vdekjen e ish-të dashurës së tij, Eliza
Samudio.

E rrëmbyer në qershor 2010, Samudio u vra dhe u copëtua nga “rekrutët” e Souza, të cilët disa pjesë të trupit të saj ia hodhën qenve, ndërsa të tjerat i murosën në çimento.

Vendimi është dhënë nga një gjykatë braziliane në Kontagem, në rajonin metropolitan Belo Horizonte. Bruno, që në bazë të akuzave rrezikonte 41 vjet burg, siguroi një reduktim të dënimit pasi rrëfeu dhe pranoi krimin.

Në seancën e fundit para gjyqtarëve, ish-portieri, që deri në atë moment e kishte mohuar përfshirjen e tij, pranoi se kishte qenë në dijeni që në fillim të vdekjes së vajzës, me të cilën ka edhe një djalë, Bruninho. “Isha në dijeni dhe lejova që kjo të ndodhte. Më pas trupi i saj iu hodh ushqim qenve”, tregoi Souza.

Fillimisht ish-portieri, që kishte premisa për të mbrojtur portën e kombëtares braziliane, kishte mohuar të ishte urdhëruesi i vrasjes, duke akuzuar materialisht mikun e tij Luiz Henrique Romao, i dënuar në nëntor me 15 vjet burg. Ky i fundit e kreu krimin makabër në bashkëpunim me një komandant policie.

Gjyqtarja Mariza Fabiane Lopes, që dha vendimin për ndëshkimin e tij, e cilësoi ish-lojtarin si një person “të ftohtë dhe të dhunshëm”. Faktikisht, ai u pezullua nga ekipi i Flamengos menjëherë pas arrestimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA