Pazzini-Balotelli, Milan shtang Genoa-n

08/03/2013 23:30

Milani “skuq” edhe “Marassi”-n dhe shkon në vetëm 2 pikë diferencë nga vendi i dytë i mbajtur prej Napolit.

Kundër Genoa-s përfundon 2-0, falë golave të Pazzini-t dhe Balotelli-t. Ish-sulmuesi i Sampdoria-s, i lënduar pas një goditjeje në kavilje, zhbllokon rezultatin në minutën e 22-të, pas një gjuajtjeje potente.

Balotelli, i cili zëvendësoi “Il Pazzo”-n pak minuta më vonë, siguron 3 pikëshin për “djallin” në minutën e 60-të, pas asistit të mbrojtësit Zapata. Kuqezinjtë mbeten më pas me 10 veta, pas kartonit të kuq të marrë nga Constant (dy të verdha), por Abbiati reziston deri në fund, sidomos ndaj përpjekjeve të Granqvist dhe Jorquera për të shënuar për vendasit.

11 fitore në 16 ndeshjet e fundit në kampionat (vetëm 1 humbje, ajo me Romën). 18 gola së bashku për Pazzini-Balotelli, të cilët, pavarësisht se rezultojnë decizivë dhe goditjet e duhura në merkato, duhet të ishin zëvendësues të njëri-tjetrit.

Janë pikërisht këto shifra, që përbëjnë forcën e vërtetë të Milanit, që edhe në “Marassi” i beson interpretimit më të mirë taktike të ndeshjes dhe del me 3 pikë të vyera në luftën për një vend në Champions, vitin e ardhshëm.

Edhe pse mendja e të besuarve të Allegrit ishte disi e orientuar drejt “Camp Nou”-t, për sfidën e së martës ndaj Barcelonës, ndeshja kundër Genoa-s dëshmon një rritje e maturim, mbi të gjitha psikologjik, të skuadrës.

Mexes e Zapata, për shembull, zhvilluan një pjesë të parë të shkëlqyer, gjithmonë të kujdesshëm, pavarësisht se e dinin se pas pak ditës duhet të luajnë rolin e “jashtëtokësorëve”. Pikërisht nga mbrojtja efikase, që nuk rrezikoi asnjëherë gjatë 45 minutave të para, lindi kjo fitore fondamentale.

Allegri: 3 pikë me rëndësi, tani mendojmë për Barçën

Pasi e largoi sa më gjatë të mundej vëmendjen nga sfida e “Camp Nou”-t, për të ruajtur përqendrimin në kampionat, Max Allegri sposton më në fund gjithë vëmendjen te ndeshja e vitit, atë kundër Barcelonës.

“Tashmë, – thotë ai – kemi 4 ditë kohë për të menduar. Duhet të vlerësojmë kushtet e Pazzini-t dhe Boateng, por kemi kohë. “Remuntada” e tyre? Është normale që ta mendojnë, janë në disavantazh të dy golave, por unë kam besim”.

Më pas shton: “Për ne do të jetë një sfidë e vështirë, – deklaron Allegri, – sepse ata mbeten skuadra më e fortë në botë. Për t’u kualifikuar duhet të bëjmë një ndeshje të madhe. Gjithsesi, do të shkojmë të përgatitur dhe të përqendruar”.

Top Channel