Gjykata e Apelit vendosi këtë premte zëvendësimin e masës së
paraburgimit me arrest shtëpiak për deputetin e Kuvendit të Kosoëvs
Fatmir Limaj i cili po përballet me rigjykim në procesin gjyqësor për
krime lufte në cështjen e  njohur si “Klecka”.

I shoqëruar nga dy pjestarë të Policisë së Kosovës, Fatmir Limaj mbërriti në banesën e tij rreth orës 17:00 ndërsa u prit nga familjarë dhe miq të tij.

Vendimi për lirimin nga paraburgimi erdhi pas ankesave të njëpasnjëshme të palës mbrojtëse e cila konsideron se nuk ka pasur arsye ligjore për mbajtjen e Limajt prapa hekurave.

Limajt  i është dashur të dorëzojë pasaportën dhe listën me emrat e anëtarëve të familjes me të cilët do të ketë kontakt, në mënyrë që të lirohej nga paraburgimi ku ndodhet prej afro 4 muajsh.  Rrjedhimisht ai  nuk ka të drejtë të ushtrojë aktivitete partiake ose politike. Por, avokati Gashi paralajmëron se do të kërkojë që Limaj të mund të ushtrojë aktivitetin e tij politik në Kuvendin e Kosovës pasi është i zgjedhur nga populli.

Bashkë me Limajn nga paraburgimi u liruan edhe tre bashkëluftetarët e tij, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala të cilët supozohet se kanë qenë në hierarkinë komanduese të ushtrisë për kohën në të cilën dyshohet se kanë kryer vepra penale.

Masa e arrestit shtëpiak është me kohëzgjatje deri me 19 prill ndërsa gjykimi kryesor për këtë rast do të fillojë me 18 prill.

Top Channel