Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës nuk kanë mbështetur kërkesën e partisë në pushtet, PDK-së, që njëherësh ishte dhe kërkesë e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që të raportojë për takimin e fundit me kryeministrin serb, në Bruksel.
Opozita ishte kundër dëgjimit të një informate të tillë, duke vlerësuar se nuk është kaq me urgjencë kjo dhe se më parë duhet të kalonte në Kryesinë e Kuvendit.
Para se të hidhej në votim kjo kërkesë, kryeministri Thaçi ka thënë se proçesi i dialogut është duke kaluar në një moment vendimtar, ndërsa ka përsëritur se nuk do të realizohet asnjë projekt që dëmton Kosovën.
“Ndoshta dikujt nuk i intereson të dëgjojë informatën, sepse ata që flisnin për Republikë Serbe, nuk do të ketë, as ndarje të Kosovës, as autonomi, as status special, as status të veçantë, as status të Tirolit apo Katalonias, as Ahtisari Plus, as ndonjë projekt të asociacionit me drejta legjislative, ekzekutive dhe pushtet të tretë, por do të ketë vetëm funksionim normal të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.
Pas kësaj, deputetët me shumicë votash mbështeten kërkesën e grave deputetë që seanca të shtyhet për ndonjë ditë tjetër për shkak të festës së 8 Marsit, pasi kanë shprehur dëshirën që këtë ditë ta kalojnë me gratë që kanë më tepër nëvojë ta festojnë. Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë seancën të martën më 12 mars.
Top Channel