
Është dashur të kalojnë 15 vjet që autoritetet shtetërore të kthejnë kokën pas e të mendojnë për gratë dhe vajzat të cilat u dhunuan në luftën e Kosovës.
Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi zgjodhi ditën ndërkombëtare të gruas, 8 marsin, për të bërë një premtim i cili ka të bëjë me kompensimin e femrave të dhunuara sikurse familjarët e të pagjeturve.
“Nuk duhet të guxojmë të lëndojmë jetën e asnjë gruaja, vajze apo motre në këtë vend. Këtu shoqëria civile mund të luajë rolin më të madh. Dhe kur përmendet mbrojtja ligjore, qeveria është e gatshme të sigurojë mbrojtje ligjore sa i përket kompensimit në kuptimin e asaj, se nuk është kompensim asnjëherë ajo që ka ndodhur gjatë luftës, por të kompensimit përafërsisht me atë të familjeve të të pagjeturve, apo në raste të caktuara edhe me viktimat e tjera civile”, ka deklaruar Kuçi.
Por deri në realizimin e këtij premtimi duket se do duhet ende kohë, sepse siç thotë vetë ministri Kuçi, kjo duhet të bëhet qoftë me ligj të veçantë, apo në kuadër të ndonjë ligji tjetër. Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës zyrtarisht nuk ka të dhëna se sa është numri i femrave të dhunuara apo keqtrajtuara gjatë luftës.
Kjo, sepse sipas zëvendësministrit të Punës Berat Luzha, viktima të dhunës të kësaj kategorie nuk janë paraqitur në qendrat përkatëse. Sidoqoftë, ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku kujton se për 20 mijë gra dhe familjet e tyre lufta ende nuk ka përfunduar.
“Gratë dhe vajzat e dhunuara gjatë luftës në Kosovë janë një kategori që deri më tani ka qenë e harruar nga shoqëria, nga familja dhe nga institucionet. Që nga paslufta, gjendja e këtyre grave jo vetëm në aspektin material, por edhe në atë social, shëndetësor e juridik, e mbi të gjitha në atë shpirtëror, ka qenë e mjerueshme. Ne si institucione duhet të përballemi dhe t’i japim zgjidhje këtij problemi. Lufta në Kosovë për shumë prej nesh ka përfunduar para 13 vitesh, por për 20 mijë gra dhe familjet e tyre ko luftë vazhdon”, ka deklaruar Çitaku.
Këto qëndrime u paraqitën në tryezën me temë “Qasja në drejtësi për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, të organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore.
Top Channel