Ibrahimovic, ide rikthimi tek Juventusi?

08/03/2013 19:40

Zlatan Ibrahimovic ishte një prej protagonistëve të merkatos së shkruar verore, kur u transferua për 20 milionë euro në radhët e Paris SG.

Megjithatë, historia e suedezit me parizienët mund të ndërpritet pas vetëm një viti dhe 31-vjeçari mund të jetë pranë një rikthimi të bujshëm në Serinë A.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Ibra nuk ndihet i kënaqur me jetën në Francë, ndërsa interesi i Parisit për të përforcuar sulmin me futbollistë të tjerë të mëdhenj, si Wayne Rooney, ka rritur edhe më shumë pakënaqësinë e Zlatan.

Në këto kushte, duket se Juventusi mund të jetë i gatshëm që të bëjë një sakrificë të rëndësishme ekonomike, jo vetëm për kartonin, por edhe për përballimin e një rroge të lartë për standartet italiane.

Megjithatë, pavarësisht kostove, kualifikimi në çerekfinale të Champions do të rrisë fondet në arkën bardhezinjve për sezonin e ardhshëm.

Nga ana tjetër, tek Juventusi gjykojnë se Ibra do t’u ofronte një avantazh të pakrahasueshëm sportiv, duke i përforcuar të vetmin repart që ka mangësi të dukshme dhe duke ngritur skuadrën në nivelin e një konkurrenteje serioze për sukses në Europë.

Top Channel