B.Munchen, Hoennes paralajmëron Guardiolën

08/03/2013 13:15

Uli Hoeness, presidenti i Bayern Munchen, siguroi të gjithë tifozët gjermanë të klubit bavarez se skuadra do të vazhdojë të stërvitet me publik dhe jo me dyer të mbyllura siç kërkon Pep Guardiola, i cili do të jetë trajneri duke filluar nga sezoni i ardhshëm.

“Tifozët tanë nuk duhet të shqetësohen. Nuk kemi në plan të zhvillojmë seanca stërvitore me dyer të mbyllura”, theksoi Hoeness për ‘Tz’ pas zërave që dolën se nën drejtimin e Guardiolës Bayerni do të stërvitej vetëm me dyer të mbyllura.

“Në klubin tonë e kemi pasur zakon që të lejojmë tifozët të shohin nga afër idhujt e tyre dhe kjo gjë nuk do të ndryshojë”, shtoi Hoeness.

Pesë vite më parë, kur Bayern Munchen nënshkroi kontratë me Jurgen Klinsmann si trajner i ekipit, pati zëra për stërvitje me dyer të mbyllura dhe shpërthyen protestat nga grupimet e tifozëve.

Top Channel