Messi: Mund t’ia dalim ndaj Milanit

07/03/2013 05:00

Sfida kundër Milanit po afron dhe Messi është gati për ndeshjen e kthimit.

“Jemi në një moment të vështirë, sepse vijmë nga disa humbje tepër të rëndësishme. Kemi nevojë për t’u përmirësuar dhe jemi të ndërgjegjshëm se mund ta ndryshojmë këtë situatë”.

Ndeshja me kuqezinjtë mund të shënojë kthesën për “blaugrana”-t: “Duhet të bëjmë më shumë, në krahasim me performancat tona të fundit, e dimë se duhet të zhvillojmë ndeshjen perfekte. Do të japim maksimumin për të treguar se jemi ende aty, jemi ende gjallë”.

Konferenca për shtyp në muze, e dedikuar për të nga “Adidas”, ka qenë rasti i artë për Leo Messi-n, për të folur për ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të Champions League. “Remuntada” është diçka fikse, që kalon në mendjet e çdo lojtari gjatë këtyre ditëve dhe, pas Iniesta-s, edhe ylli argjentinas shprehet i bindur për arritjen e saj.

“Milani shënoi dy gola ndaj nesh në ‘San Siro’, por të njëjtën gjë jemi në gjendje ta bëjmë edhe ne në ‘Camp Nou’. Edhe pse, në fakt, nëse do të pësonim ndonjë gol, situata do të bëhej shumë e vështirë, por gjithsesi mund t’ia dalim mbanë”.

Një ndeshje, në të cilën 4 herë fituesi i “Topit të Artë” mund të jetë deciziv, me kusht që të thyejë një tabu: deri më tani, nuk i ka shënuar kurrë një ekipi italian me aksion.

“Problemi im me skuadrat italiane? Kanë mbrojtje të organizuara mirë dhe të përgatitura taktikisht, por çdo statistikë është bërë për t’u thyer, madje pse jo, duke nisur nga e marta e ardhshme”, përfundoi Messi.

Top Channel