Juve dhe PSG rikthehen në “G8”

07/03/2013 00:00

PSG rikthehet pas 18 vjetësh në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve.

Skuadra e drejtuar nga Ancelotti barazoi 1-1 me Valencia-n në ndeshjen e dytë, por, falë fitores 1-2 në Spanjë, arriti të futet në historinë e klubit francez, i cili shpenzoi shumë para për të arritur këtu.

Gjithsesi, PSG nuk bëri ndonjë lojë të kënaqshme, madje e rrezikoi kualifikimin në momentin kur Valencia kaloi në avantazh, me Jonas në minutën e 55.

Mungesa e Ibrahimovic, Verratti dhe Menez u ndje shumë në skuadrën franceze, e cila me vështirësi arriti të barazojë me Lavezzi-n, rezultat ky që mbeti i pandryshuar deri në fund.

Ancelotti do t’i gëzohet kësaj mbrëmjeje, ndërkohë që nesër duhet të përveshë mëngët për të ndryshuar disa gjëra, që nuk shkojnë në skuadrën e tij.

Pas fitores 3-0 në Glasgow, Juventus ka fituar pa shumë mundim edhe ndeshjen e dytë me Celtic, këtë herë me rezultatin e pastër 2-0.

Golat për “Zonjën e Vjetër” u shënuan në çdo pjesë, me autorë Matri dhe Quagliarella.

Skuadra italiane kualifikohet kështu pas 7 vjetësh në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, ndërkohë që numri i ndeshjeve radhazi, pa humbje në këtë kompeticion, shkon në 17.

Top Channel