Fytyra e re e Facebook

07/03/2013 23:35

Mark Zukerberg vazhdon të gdhendë krijesën e tij, tashmë të përzgjedhur nga një miliardë përdorues në të gjithë botën.

Facebook-u, këtej e tutje, do të thjeshtojë informacionin, duke shtuar hapësirën për muzikën, lojërat dhe reklamat, me synimin për të shtuar të ardhurat.

28-vjeçari Zukerberg shpalosi “fytyrën e re” të Facebook-ut, në një konferencë për shtyp në San Francisko. Ai shpjegoi se qëllimi kryesor është “të reduktojë rrëmujën” në rrjetin social.

Sipas tij, informacioni do të ketë formën e një “gazete të personalizuar”. Sipas ekspertëve, “restaurimi i Facebook” është më domethënësi në këto vite, gjatë të cilave u ndje presioni për të rritur të ardhurat, por nga ana tjetër për t’i mbajtur përdoruesit aktiv dhe ndërveprues.

Zukerberg ndaloi tek informacioni dhe mundësia për të filtruar argumentat më të rëndësishëm. Kësisoj, në rrjetin social tani mund të zgjedhësh çfarë të shohësh; lajme, statuse apo fotografi.

Mund të shikosh fluksin e informacionit të zgjedhur “të miqve të vjetër”, edhe atyre që i ke pranuar rishtazi, apo fotot, muzikën, lojërat e përbashkëta. Tani mund të ndjekësh edhe ato kontakte, nga të cilët merr informacion, por pa patur nevojën t’i përfshish në listën e miqve.

Me këtë ndryshim, Facebook i ngjan më shumë aplikimeve të lëvizshme. Qëllimi është i thjeshtë për të tërhequr “të pakënaqurit”, që janë thuajse gati të largohen nga Facebook, sepse shpesh janë zënë në lakun e përmbajtjeve, për ta aspak interesante.

Këtej e tutje, kushdo që ka një profil në Facebook do të ketë një eksperiencë personale, brenda kufijve të zgjedhur nga secili, për të ruajtur të ashtuquajturën “social privacy”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA