
Drejtues të shtetit, kryetarë partish, deputetë, ushtarakë, e qytetarë të të gjitha moshave, u bënë bashkë të mërkurën, kur u përkulën para varrezave të familjes Jashari në Prekaz.
Me rastin e 15-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari dhe familjes së tij, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi, së bashku vlerësuan aktin heroik të familjes Jashari.
“Vepra e komandatit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, është bazamenti i përjetësimit të të gjithë përpjekjeve tona shekullore për liri”, deklaroi Presidentja e Kosovës, zonja Jahjaga.
Nga ana e tij, kryeministri Thaçi shtoi: “Çdo rënie është e dhimbshme, por kjo ka qenë ajo që mbi të gjitha bashkoi popullin e ngriti në këmbë të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, rreth idealit të çlirimit e ndërtimit të një Kosove të pavarur dhe sovrane”.
Homazhe zhvilluan edhe kryetari i kuvendit, kreu i LDK-së dhe ambasadori i Shqiperise ne Prishtine. “Shqiptarët, pas 5, 6 dhe 7 marsit 1998, e mundën frikën dhe përqafuan së bashku guximin, atë guxim që na dhuroi lirinë dhe pavarësinë që gëzojmë sot”, tha kryekuvendari Jakup Krasniqi.
Për Isa Mustafën, liderin e LDK-së, “me këto emblema të lirisë dhe pavarësisë, ndërtojmë sot një shtet dinjitoz”.
“Familja Jashari është një vlerë jo vetëm shqiptare, por mbarënjerëzore, pasi ata që sakrifikojnë jetën për liri nuk i përkasin vetëm një kombi, por të gjithë njerëzimit”, çmoi ambasadori shqiptar në Prishtinë, Islam Lauka.
Manifestimi tre ditor për “Epopenë e UÇK-së” do të përmbyllet të mërkurën në mbrëmje me “Natën e Zjarreve”, ku do të ndezën “flakadanët e lirisë” jo vetëm në Prekaz por në të gjithë Kosovën.
Top Channel