Mustafa Nano – Mund të lindë në Shqipëri një “Grillo”? Kjo pyetje,
kështu si po e shtroj, lë të nënkuptuar se një Grillo është i
mirëseardhur këtyre anëve, e në këtë kuptim dua të saktësoj shpejt e
shpejt se me “Grillo”, teksa shtroj këtë pyetje, kuptoj një lëvizje të
protestës kundër establishmentit të korruptuar
politiko-ekonomiko-kulturor e një mobilizim njerëzish që nuk mund të
pajtohen më me gjendjen e vështirë, apo të pashpresë, në të cilën
ndodhet vendi i tyre. Kuptohet, një Grillo i tillë është për t’u
mbështetur.
Mirëpo fenomeni “Grillo” është shumë më tepër sesa kaq. E prandaj ky fenomen, në tërësinë e vet, unë mendoj se duhet parë me dyshim. E pranoj që ai është frymëzues për një numër gjërash e në një numër drejtimesh. Fjala vjen, beteja e tij për një etikë tjetër publike në drejtimin e vendit nuk ka të sharë. Apo më tej, ulja e kostove të politikës, ulja e rrogave dhe reduktimi/zhbërja e përfitimeve/privilegjeve të të zgjedhurve, apo ideja për ta ndërtuar një aleancë, jo mbi bazën e logjikës për të ndarë poste e portofole, por mbi bazën e logjikës për të gjetur pika të përbashkëta në axhendat e projektet e partive që kanë vullnetin për të bashkëpunuar në qeverisje, këto pra dhe të tjera, janë për t’u përshëndetur. Ishte domethënëse situata, kur menjëherë pas zgjedhjeve, teksa eksponentë të rëndësishëm të Partisë Demokratike po hidhnin në stilin e vjetër idenë “për t’i falur” partisë së Grillos postin e kryetarit të Dhomës së Deputetëve apo të Senatit (kuptohet, me synimin për ta kandisur e ndjellë në një koalicion qeverisës), vetë Grillo u dëgjua të reagonte gati me tërbim: “E kuptoni apo jo, që ka filluar një epokë e re? E kuptoni apo jo, që neve nuk na interesojnë poltronat? E kuptoni apo jo, që neve na interesojnë pikat e programit që kemi?”
Ka të drejtë në tërbimin e tij, s’ke ç’i thua. Kjo logjika e ndërtimit të koalicioneve mbi bazën e marrëveshjes për ndarje postesh ta shpif. Afërmendsh, nuk është një praktikë italiane. Është një praktikë e kudogjendshme. Aty ku mezi dallohet, thjesht është e maskuar. Me fjalë të tjera, është shumë e rrallë të gjesh një parti në botën demokratike që t’i thotë të parit të një partie tjetër më të madhe, të ngarkuar për të bërë Kryeministrin, se “ok, tani që kemi rënë dakord mbi programin e përbashkët qeverisës, nuk na intereson më muhabeti i ndarjes së posteve; kompozimi i kabinetit është çështja jote; madje, ne po të themi se nuk duam të jemi pjesë e kabinetit; ne jemi këtu për të vlerësuar personalitetet që ti do të zgjedhësh për t’i bërë ministra; ne do të jemi në Parlament për të ndjekur e monitoruar me lupë aktivitetin e qeverisë; punë të mbarë!” Pak a shumë këtë sjellje fantastike Grillo e ka vënë në jetë në “parlamentin” e Sicilisë, ku mbështet një shumicë fare të brishtë të PD-së sa herë që kjo e fundit bën gjëra të pëlqyeshme për të. Dhe në një farë kuptimi, Grilloja atje qeveris pa qenë në qeveri.
Por Grillo ka anën e tij të errët, ashtu siç ka dhe anën e tij në terr. Për sa i takon “anës në terr”, duhet thënë se askush nuk e di se cili është projekti i tij politik i plotë, i saktë, i kopsitur. Duket se dhe vetë Grillo nuk e njeh deri në fund këtë projekt, e prandaj shfaqet në një numër rastesh duke improvizuar. Qasjen improvizuese e ka demonstruar deri në kufij butaforikë, aq sa dhe intervistën e parë pas zgjedhjeve e dha te porta e shtëpisë së vet, mes gazetarëve të shumtë që po i merrnin frymën, dhe mes kakofonisë së kuptueshme që u provokua nga ai komunikim. Nuk është çudi që Grillo ta shohë këtë si një gjest që synon rinovimin e praktikës së komunikimit publik, dhe si një gjest që i përgjigjet premtimit të tij për të ulur kostot e politikës (një konferencë tradicionale për shtypin ka kosto), por në të dyja rastet bëhet fjalë për improvizime që s’ngjisin. Ajo që bëri me gazetarët te shtëpia ishte bezdisëse, e kotë, e tepërt, e pafrytshme, dhe ngjante si skenë e vjedhur nga pazari ynë i Roskovecit. Ndërsa ulja e kostove të politikës deri në këtë nivel është një pesë me hiç. Një kosto minimale për të garantuar funksionimin e partive është – janë të shumtë politologët që i mbahen kësaj ideje – një kosto fiziologjike e demokracisë.
“Do të ndryshojmë botën”, u thotë ai duke u ngrefosur gazetarëve të huaj, mirëpo ky pretendim autoreferencial që i ka lindur pas zgjedhjeve thjesht nyjëtohet, e nuk shpjegohet, e prandaj ka rrezik që t’mos e marrin për vizionar; përkundrazi, ka rrezik ta marrin për paranojak; ose – kjo ka ndodhur tanimë – për kloun.
Por më shqetësuese mbetet ana e tij e errët. “Institucionet u përkasin qytetarëve”, thotë ai, dhe me këtë ka dashur të nënvizojë nevojën, dhe apelin, për më shumë demokraci. Demokraci? Në këtë pikë, Grillo nuk duket se ka tagër për të mbajtur leksione. Po, është e vërtetë, kandidatët e tij për deputetë u zgjodhën nga votuesit online, dhe ky është një manifestim gjenuin i paparë demokracie (duke qenë “gjenuin dhe i panjohur më parë”, do të na duhet të presim ca për të kuptuar, nëse një demokraci kaq gjenuine është dhe funksionale), por fakti që Grillo u hakërrehet të zgjedhurve të vet, që nuk pranon të vihet në diskutim fjala e tij, që nuk do të njohë një pavarësi minimale të deputetëve e senatorëve të Lëvizjes “Pesë Yjet”, një e drejtë e njohur dhe nga Kushtetuta e Republikës, që forumet i mbledh larg syve të mass-medias, që zgjedhjet në këto forume i bën në stilin “e miratimit me dorën të ngritur”, që nuk del në ballafaqime publike me të tjerët, që u ka mbyllur dyert gazetarëve italianë, atyre gazetarëve që kanë raportuar çdo aktivitet të tij, që për kundërshtarët rezervon veç fyerje vulgare, që me këta nuk pranon as të ulet, as të takohet, as të bisedojë, e as të arrijë një marrëveshje etj., etj., të gjitha këto pra flasin për një këndvështrim disi allasoj të Grillos për demokracinë e transparencën. Po të shtojmë këtu edhe, së pari faktin që ai kritikat e denoncimet e gjendjes së sëmurë nuk i shoqëron me receta shërimi, e së dyti synimin që ai ka për të pasur me çdo kusht e me çdo çmim një shumicë të vetën në Parlamentin italian, gjë që ai mund ta arrijë duke qëndruar në opozitë, veç në opozitë, Grilloja na del edhe i frikshëm.
* * *
E vërteta është se mbulimi mediatik i Tiranës e ka sjellë fenomenin “Grillo” në Shqipëri në versionin e tij më të mirë, pra si një lëvizje kundër një establishmenti të korruptuar, e në këtë kuptim, ky fenomen është për t’u përshëndetur. Po kthehem te pyetja e kreut, atëherë: Mund të lindë një Grillo “i mirë e goxha burrë” në Shqipëri?
Sipas meje, jo. Absolutisht jo. Grilloja “i mirë e goxha burrë” ka lindur atje ku establishmentit, edhe pse është i korruptuar dhe i paaftë për të bërë reforma, nuk i shkon kurrë në mendje për të bllokuar afirmimin e nismave e aksioneve politike që janë alternative me të. Madje, duhet thënë se establishmenti në Itali nuk ka asgjë në dorë për të bllokuar lëvizje të tilla. Grillo ka injoruar ftesat që i janë bërë për të qenë nëpër studio televizive, por për të është folur pa fund edhe në këto studio, edhe gjatë edicioneve informative, edhe në programe të tjera, edhe në gazeta, dhe kjo është një provë se sistemi italian, të paktën në terma të demokracisë, ka nevojë të përsoset, por jo të përmbyset. Shkurt, në Itali ekzistojnë hapësirat, mjetet e resurset, që bëjnë të mundur lindjen e inkurajimin e një aksioni të fortë e të bujshëm politik nga hiçi, edhe në rastet pra kur ky aksion synon zhbërjen e establishmentit në veçanti apo të sistemit në përgjithësi.
Ndërsa Shqipëria është një tjetër planet. Këtu te ne sistemi është ngritur i tillë, me synimin që së pari të mbrojë establishmentin, e së dyti të shkurajojë e të luftojë çdo alternativë të ndryshme prej establishmentit (le ta provojë ndokush që t’u japë munxët gazetarëve, pronarëve, programeve, gazetave, televizioneve, dhe të denoncojë lidhjet korruptive të gazetarisë me politikën, dhe është e sigurt që për të, dhe me të, s’ka për t’u folur kurrë në media). Me një fjalë, këtu te ne nuk është vetëm establishmenti që është i korruptuar, madje tërësisht i korruptuar, por është i tillë dhe vetë sistemi, rendi i gjërave, morali publik dhe etosi kolektiv, media, shoqëria civile, institucionet e strukturat shtetërore, gara politike e jopolitike. E meqenëse jemi te gara, këtu te ne ende vidhen votat e manipulohen zgjedhjet.
Për ç’Grillo mund të flitet në këto rrethana?
Top Channel