Mediat maqedonase kanë heshtur për dhunën ndaj shqiptarëve, që ndodhi më 1 mars, dhe kanë raportuar vetëm për protestën e shqiptarëve kundër dhunës, një ditë më vonë.

Mediat maqedonase nuk kanë shpalosur as arsyen e vërtetë të protestave, duke raportuar se protesta u organizua në përkrahje të emërimit të ish-komandantit të UÇK-së,  Talat Xhaferi, në krye të Ministrisë së Mbrotjes.

Shkolla e lartë për gazetari në Shkup, në një analizë të saj, vëren se, gjatë javës së kaluar, në mediat në Maqedoni është bërë thirrje për dhunë dhe është përdorur fjalor, që nxit urrejtje mes komuniteteve.

“Televizoni publik maqedonas, më 1 mars, nuk informoi për protestat e dhunshme të maqedonasve, ndërsa një ditë më vonë raportoi për protestat e shqiptarëve. Edhe më skandaloz është rasti se raportin për protestat e shqiptarëve, ky televizon e ka mbuluar me pamje nga protesta e maqedonasve, për të cilën televizioni në fjalë nuk ka informuar fare. Ndërkohë, mediat në gjuhën shqipe nuk kanë transmetuar protestuesit shqiptarë duke brohoritur UÇK”, tha Vesna Shopar, shkolla e lartë për gazetari.

Sipas analistëve, fjalori i medias në javën e kaluar i ngjasonte atij të përdorur gjatë konfliktit të armatosur në vitin 2001.

“Një pjesë e mediave e kanë shndërruar gazetarinë në instrument për manipulimin e opinionit. Një pjesë e mediave, përveç se nuk informojnë në mënyrë të balancuar, njoftojnë me prapavijë politike dhe etnike, që është shumë e dukshme. Për fat të keq, shpesh herë kur raportohet për çështje politike dhe etnike, faktet fshihen ose manipulohet me to”, tha Sefer Tahiri, analist.

Analistët nënvizuan edhe ndikimin e madh të politikës në media, me fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, ku po vërehet anim i dukshëm i medias për parti të caktuara politike.

Top Channel