Juventus, operacioni “bis”

06/03/2013 00:00

Sonte luhen dy ndeshjet e tjera të Ligës së Kampioneve ku Juventusi do të presë i qetë në Torino skuadrën e Celtic, ndërsa gjermanët e Shalke 04 duhet të mbrojnë barazimin 1-1 të arritur në Turqi përballë skuadrës së Gallatasarajit.

Skocezët udhëtojnë në Itali me misionin e pamundur për të përmbysur humbjen 0-3 në fushën e tyre dy javë më parë. Në këtë takim, trajneri i bardhezinjve, Antonio Conte ka paralajmëruar një rotacion në fushë për t’u dhënë më shumë minuta lojtarëve rezervë, megjithëse ka bërë thirrje për të mos nënvlerësuar kundërshtarin.

Në fushë pritet të mos jetë Markizio, Lihtshtajner dhe Vidal që do të zëvendësohen nga Isla, Pogba dhe ndoshta Xhakerini. Rotacioni shpreh ambicien e Juventusit për të luftuar sa më gjatë në të dyja frontet, si në kampionat, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve për të fituar për të parën herë të dyja trofetë e rëndësishëm që nuk i ka arritur as me Platininë e Gaetano Scirea-n dhe as në periudhën e artë të Lippi-t.

Ndërkohë në Francë PSG do të presë Valencian. Skuadra e Ancelotit ka fituar takimin e parë 1-2, ndërsa Valencia do të përfitojë nga mungesa e Ibrahimovic për të kërkuar kualifikimin.

Top Channel