Ferguson i tërbuar me gjyqtarët

06/03/2013 00:00

Sir Alex Ferguson shmangu daljen para mediave në fund të takimit Manchester United-Real Madrid që pa “Djajtë e Kuq” të eleminoheshin nga Liga e Kampioneve mes shumë polemikash.

Në vend të tij para gazetarëve doli asistenti Mike Phelan. Phelan tha se Ferguson ishte “i xhindosur” nga gjykimi skandaloz i gjyqtarit turk të takimit, Cuneyt Cakir. Ky i fundit u bë protagonist i takimit pas ndëshkimit të dyshimtë me karton të kuq në minutën e 56 të Nanit.

“Trajneri është i shokuar nga gjykimi dhe nuk është në gjendje të flasë për vendimet e gjyqtarit në këto momente. Ai është i nxehur dhe e di që nëse del para kamerave sot, vështirë se do të bëjë të njëjtën gjë në javët në vazhdim”, deklaroi Phelan duke nënkuptuar ndëshkimin e mundshëm për shkak të deklaratave që mund të bënte Ferguson.

E si për të mos mjaftuar këto, futbollistët e skuadrës angleze kundërshtuan edhe disa vendime të tjera të tij, përfshirë 2 raste të dyshimta brenda zonës, fillimisht për prekjen me dorë të topi nga Ramos e më pas për një ndërhyrje të mbrojtësit Varan ndaj sulmuesit Uelbek.

Në fund të takimit futbollistët anglezë protestuan kundër gjyqtarit duke “e duartrokitur” para fytyrës për gjykimin e tij.

Manchesteri u mund 1-2 në fushën e tij nga Reali i Mourinho-s që fitoi falë golave të Modric dhe Ronaldos. Ky i fundit i vendosur mes së tashmes dhe së shkuarës, vendosi të mos festojë pas realizimit të golit dhe u mjaftua me ngritjen e duarve lart në shenjë “ndjese ndaj tifozerisë së Djajve të Kuq”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA