Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e brengosur për ngjarjet e dhunshme të javës së kaluar në Shkup. Kështu u shpreh ambasadori amerikan në Maqedoni, Paul Wohlers, i cili bëri thirrje, që incidente të tilla të mos keqpërdoren për përfitime politike.

“Ambasasa e SHBA-ve dhe bashkësia ndërkombëtare në Shkup janë të brengosur për ngjarjet e dhunshme të fundjavës së kaluar. Ato ngjarje e shtojnë nevojën urgjente për iniciativa, që promovojnë harmoni ndëretnike në Maqedoni. Çdo incident ndëretnik apo përpjekje për të nxitur jotolerancë është mundësi e lehtë për të shfrytëzuar situatën për përfitime politike, mirëpo në të njëjtën kohë është edhe mundësi për të hapur dialog dhe për të përforcuar lidhjet mes komuniteteve të ndryshme”, tha Paul Wohlers, ambasador i SHBA-ve në Shkup.

Nga partia shqiptare në qeverinë e Shkupit, BDI, dyshojnë se ngjarjet e dhunshme janë skenare të disa partive politike, të cilat, edhe pse me rrezikshmëri, po i përgatisin ato për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira. Nga BDI nuk shpalosen emrat e partive, te të cilat dyshojnë, por thanë se do të pengojnë realizimin e këtyre skenarëve.

“Kemi indikacione të thella, se disa subjekte politike shqiptare dhe maqedonase, në mungesë të ofertës dhe rejtingut, kanë përgatitur skenarë të rrezikshëm për të shantazhuar fushatën dhe procesin zgjedhor, duke krijuar incidente ndëretnike dhe pastaj duke iu ndërlidhur atyre procese gjoja spontane, mbase të iniciuara nga rrjetet sociale”, tha Abdylaqim Ademi, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së.

Ndërkohë, nëpër rrjetet sociale janë paralajmëruar protesta të reja për ditën e premte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA