Banorët e pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, vazhdojnë të mos gjejnë qetësi në kohën e gjumit. Në këtë pjesë të Kosovës, pak pas orës 1 të së martës u dëgjua një shpërthim i fuqishëm, në rrugën “Tanaska Rajiç”.

Sipas Policisë së Kosovës nuk dihet ende se kush ishte objektiv i sulmit pasi mjeti ka shpërthyer në rrugë mes një restoranti dhe banese. Brenda dy muajve llogariten të kenë ndodhur mbi 20 shpërthime në këtë pjesë, por deri më tani askush nuk është arrestuar.

Situata e tendosur në këtë pjesë të Kosovës ishte njëra nga temat që shefi i ri i EULEX-it, Bernd Borchardt bisedoi me kryetarin e komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, në vizitën e tij të parë në këtë qytet.

“I tregova se situata në Mitrovicën veriore është mjaft e tendosur, posacërisht këto ditët munden me qenë ditët në të cilat thjesht ekstremistët kanë me qenë të provokuar me mosrealizimin e synimeve të veta”, deklaroi Avni Kastrati, Kryear i Komunës së Mitrovicës.

Ndërkohë, shefi i EULEX-it, gjermani Borchardt nuk u deklarua për media pas përfundimit të takimit, por sipas z. Kastrati, ai është shprehur se EULEX mbetet i përkushtuar maksimalisht për situatë të qetë.

“EULEX-i, tha se, është i përkushtuar maksimalisht dhe unë nuk dyshoj, që të mbahet situate e qetë që qytetarët për cdo ditë të kenë një sigurimi më të madhe”, tha Borchardt.

Po ashtu, kryetari Kastrati, pa përmendur data tha se do të vazhdohet me rindërtimin e shtëpive në lagjen Kroi i Vitakut pasi ishin ndërprerë vitin e kaluar për shkak të situatës së tensionuar.

Gjatë këtij takimi, sipas Kastratit është biseduar edhe për pronat e uzurpuara në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, që sipas tij, duke u mbështetur në të dhënat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, bëhet fjalë për 400 banesa.

Top Channel