PS në “Autostradën e vdekjes”

05/03/2013 00:00

“Siguria Rrugore”, kjo ishte tema e një diskutimi të gjatë që PS organizoi në qytetin e Fushë-Krujës jo vetëm për të identifikuar situatën e tanishme, por edhe për të shpalosur prezantim i strategjisë së parashikuar në programin e PS, për një Rilindje Shqiptare.

PS thotë se Fushë-Kruja është zgjedhur jo rastësisht për këtë takim, sepse këtu fillon ajo që nga qytetarët është pagëzuar me emrin “Autostrada e vdekjes”, segmenti me gjakatar rrugor që lidh kryeqytetin me pjesën veriore të vendit.

Sipas kreut të opozitës Edi Rama kjo situatë ka ardhur nga papërgjegjshmëria e qeverisë. Rama është ndalur në atë se çfarë do të bëjë Partia Socialiste për të ndryshuar këtë situatë.

“Ajo që ne do bëjmë është ngritja e një qendre kombëtare të kontrollit të trafikut si gjithë bota. Në sistemin arsimor të ketë një program të përshkallëzuar nga klasa e parë deri në shkollën e mesme për edukimin rrugor. Në dy vitet e para ta zvogëlojmë në 20 përqind dhe përgjysmim në 50 përqind vdekjet nga aksidentet. Rrjetin kombëtar bazë ta ripërtërijmë krejtësisht në të gjithë Shqipërinë”, tha Rama.

Kryetari i PS ka shfrytëzuar rastin për të komentuar edhe vendimin e qeverisë për të parashikuar në buxhetin e vitit 2013 shpenzime vetëm për shtatë muaj dhe jo për 12.

“Buxheti e konsideron vitin 2013, si një vit me 7 muaj dhe jo me 12 muaj, sigurisht që kjo nuk është një lajthitje, në kuptimin e përpjekjes së qeverisë për ta ndryshuar edhe kalendarin nga 12 muaj në 7. Kjo është shprehje e faktit që kjo qeveri e di se pas shtatë muajsh nuk do jetë më në qeveri”, është shprehur kryesocialisti.

Top Channel