Këshilli i Legjislacionit dëgjoi deputetin socialist, Fidel Ylli për të marrë prej tij detaje rreth kërkesës së deputetëve demokratë, që kërkojnë heqjen e mandatit të tij.

Sipas mazhorancës zoti Ylli ka përfituar nga pasuria publike, duke patur në pronësi radion “House of arts”. Historia i përket vitit 2009, kur  pas zgjedhjeve të qershorit, zoti Ylli u bë deputet dhe ka vazhduar të përdore deri në dhjetor 2009 frekuencat e radios, të cilat konsiderohen pasuri publike.

Deputeti Ylli tha se pas shkresës nga KKRT, në dhjetor 2009, se ai ishte në konflikt interesi për pronësinë mbi radion, ai ia ka dhuruar atë dhe një biznes tjetër të vogël motrës së tij.

Vec kësaj, ai tregoi se ka marrë përgjigje nga ILDKP-ja dhe gjykata me vendim të formës së prerë se nuk ishte në konflikt interesi për pronësinë e radios.

Deputeti Ylli tha se i vetmi institucion nga ku nuk i ka ardhur një përgjigje për këtë ishte parlamenti. Ai tha gjithashtu se KKRT-ja nuk i ktheu përgjigje kërkesës së tij në qershor 2009 nëse do t’i rinovonte apo jo licensën e radios, e cila skadonte në shtator 2009. Deputeti Ylli e cilësoi kërkesën e demokratëve gjueti shtrigash dhe hakmarrje politike.

Demokratët thonë se çështja nuk ka të bëjë me konfliktin e interesit, por me nenin e Kushtetutës që ndalon deputetët të përfitojnë nga pasuritë publike.

Deri në seancën e ardhshme Këshilli do të verifikojë deklarimet në seancë të deputetit Fidel Ylli me ato që ai ka depozituar tek deklarimi i pasurive dhe me pas do të bëjë raportin përkatës për t’i sugjeruar ose jo parlamentit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.

Top Channel