
Në Kosovë ka filluar shënimi i Epopesë së UÇK-së, në shenjë kujtimi për
rënien e Adem Jasharit, i shpallur komandant legjendar i Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës.
15 vjet më parë, Adem Jashari dhe familja e tij u rrethuan nga forca të shumta policore serbe. Si pasojë, komandanti bashkë me 54 familjarë, përfshirë gra e fëmijë, mbetën të vrarë.
Epopeja e UÇK-së është një organizim mbarëpopullor që zhvillohet nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës. Qeveria ka publikuar tashmë axhendën e tri ditëve të manifestimit, bën të ditur “REL”.
Kështu, të martën në orën 14:00, në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” në Prishtinë do të mbahet një ceremoni ushtarake e FSK-së e shoqëruar me një program kulturor dhe artistik.
Më 6 mars do të bëhen homazhe pranë varrit të komandantit Jashari dhe varrezave të familjes së tij në kompleksin memorial në Prekaz të Skenderajt, si dhe në të gjitha komplekset memoriale të dëshmorëve të UÇK-së në Kosovë.
Më pas, në orën 18:00, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve do të mbahet një akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar dhe gjithë dëshmorëve të rënë për liri.
Ndërkaq, në ditën e tretë, më 7 mars, duke filluar nga ora 18:00 në sheshin “Adem Jashari” në Skenderaj do të mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve”, ku do të ndizen pishtarë dhe do të mbahet një program kulturor-artistik.
Top Channel