Opozita akuzoi qeverinë për korrupsion me liçencën e Llotarisë Kombëtare. Deputeti Taulant Balla tha se opozita do ta anulojë kontratën që sipas tij është kundër interesave të qytetarëve.

“Akti i shitjes së liçencës me një çmim qesharak dhe detyrime fiskale favorizuese është e dëmshme për buxhetin e shtetit dhe një akt korruptiv. Prandaj ne e deklarojmë me përgjegjësi të plotë, se në këtë kontratë ka shkeleje të mjaftueshme për ta anuluar pas 23 qershorit”, deklaroi Balla.

“Ka qenë një proçes transparent, i monitoruar dhe i konsultuar nga qendrat më të mira në Evropë dhe në botë. Kemi bërë lëshime për të shmangur rënien e kësaj industrie ne duart e krimit të organizuar dhe për ta kthyer në interes për qytetarët”, replikoi ministri i Financave, Ridvan Bode.

Qeveria thotë se kontrata e konçesionit mbron fort interesin publik përmes taksave të larta mbi kompaninë dhe caktimit të shumës dysheme që ajo duhet të shpërndajë tek lojtarët.

“Ne do taksojmë mbi vëllimin e xhiros që do kryejë kjo kompani për 10 vite në masën 17%. Ndërsa në Austri vëllimi i taksës mbi xhiron është 15%”, sqaroi Bode.

“Sipas llogarive, kompania austriake do të paguajë në Shqipëri 2 herë më pak se në Austri”, theksoi nga ana tjetër deputeti Balla.

“Çfarë i kërkohet qeverisë së ardhshme: të mos anulojë, të mos rishikojë dhe të mos pezullojë elementë të kësaj kontrate”, vijoi pas tij deputeti tjetër socialist, Arben Malaj.

Tenderi për Llotarinë Kombëtare u fitua nga kompania “Asutrian Loterry”, e cila do të ketë ekskluzivitetin e disa lojravë të fatit për 7 vitet e ardhshme në Shqipëri kundrejt çmimit 3.5 milionë euro për liçencën.

Top Channel