Shitja e katër hidrocentraleve publike te kompania ‘Kurum’ shkaktoi debate të forta në Parlament, mes maxhorancës dhe opozitës.

“Sot në këtë Parlament jemi duke përjetuar një funeral të pronës publike”, tha deputeti socialist Arben Ahmetaj.

“Kjo është java e fundit e shitjeve me të lirë të pasurisë publike në Shqipëri”, tha deputeti tjetër socialist Erjon Braçe.

Opozita thotë se gjithë procedura e privatizimit është një aferë korruptive, që nis me heqjen e kriterit të detyrueshem strategjik për blerësin.

Erjon Braçe: Paratë e kanë zhbërë Kryeministrin e këtij vendi, nga institucional, në një pazarxhi banal. Në mes të garës prishi kushtin strategjik të shpallur dhe shkruan tjetrin, tamam siç i përshtatet blerësit të zgjedhur.

Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto
: Eshtë një absurditet. E hoqëm këtë, ndryshuam disa terma të këtij procesi dhe interesi ishte shumë më i lartë se më përpara.

Erjon Braçe: A është korrupsion ky, trafik influence, klientelizëm dhe prishje e garës dhe paracaktimi i fituesit të saj? Që të gjitha bashkë janë.

Katër hidrocentralet, që në total prodhojnë 400 milionë kilovat orë energji në vit, ju shitën kompanisë “Kurum” për 109 milionë euro.

Sali Berisha: Mesatarja e privatizimeve të viteve të fundit botërore është 1.1 megavat. Privatizohen me 1.4 megavat.

Gramoz Ruçi: Opozita të kërkon hesap. E ke shitur 100 milionë dhe të thotë me llogari, 20 milionë është fitimi në vit. Për katër vjet shlyen të gjithë detyrimin.

Sali Berisha
: Sa i shitët ju 24 hidrocentrale? I keni shitur falas. Megavatin ju e keni shitur me 200 mijë dollarë.

Arben Ahmetaj: Jeni duke i shkaktuar një dëm 30 milionë euro buxhetit të shtetit në vit.

Nënkryetari i grupit parlamentar socialist Erjon Braçe ka një qëndrim edhe më të majtë. Ai i do hidrocentralet të mbeten publike.

Erjon Braçe
: Atdheu Privat i Sali Berishës vijon të zëvendësoj atdheun publik të shqiptarëve.

Sali Berisha
: Privatizimi është një filozofi e pandryshueshme e kësaj force politike.

Gramoz Ruçi: Pse dështove me privatizimin e parë strategjik sic është shpërndarja? Pse dështove me privatizimin e dytë të ARMO-s? Pse dështove me privatizimin e tretë strategjik, sic është Albpetrol? Ky sukses jot përsa i përket reformave në kushte privatizimi

Sali Berisha
: Ekonomia e tregut nuk është vetëm histori suksesesh. Histori suksesesh të vazhdueshme që përfundojnë të gjitha zero dhe nën zero është vetëm socializmi.

Opozita thotë se kur të vijë në pushtet do e anulojë privatizimin korruptiv të katër hidrocentraleve.   

Top Channel